Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan kanë biseduar për situatën në verilindje të Sirisë. “Ata janë pajtuar që të vazhdojë të jenë në kontakt të ngushtë për këtë çështje”, tha një zëdhënëse e Qeverisë gjermane, e cila njoftoi për bisedën telefonike ndërmjet kancelares Merkel dhe presidentit Erdogan, por nuk dha më shumë detaje lidhur me përmbajtjen e bisedës.
Turqia ka kryer një ofensivë ushtarake në veri të Sirisë, me qëllim që të largojë nga ajo zonë luftëtarët kurdë, të cilët i konsideron terrorist, shkruan REL. Koalicioni qeverisës në Gjermani ka pasur dyshime se si të përgjigjet lidhur me ofensivën turke. Socialdemokratët kanë kundërshtuar një propozim të ministres së Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer që të krijohet një “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara, në zonën kufitare Siri-Turqi.
Ofensiva turke në Siri është ndërprerë pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi, të cilën e kanë ndërmjetësuar Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Turqia dhe Rusia po ashtu kanë arritur një marrëveshje që të largojnë për 30 kilometra nga kufiri Turqi-Siri, luftëtarët kurdë.