Olsi Rama: Do rrisim profesionalizmin, Partizani me frymë europiane

SPORT


Gjatë prezantimit të trajnerit të ri të Partizanit, Franko Lerda, drejtori sportiv Olsi Rama ka shpalosur objektivat për sezonin e ri, ku sipas tij, synim do të jetë rritja e profesionalizmit. “Një nga synimet e mija kryesore është të rris nivelin e profesionalizmit dhe t’iu jap mundësi lojtarëve të përfaqësohen në vazhdimësi. Sfida e parë është në shortin e Champions Ligës. Shpresoj që goglat të na sjellin fat. Sido të jetë punë, do luajmë 11 kundër 11”, u shpreh Rama.

Më tej, Rama tha se Partizani do të grumbullohet në fazë përgatitore në Slloveni, ndërsa u shpreh se Skënder Gegës i ka uruar të jetë si Arsen Venger. “Ekipi do të grumbullohet për fazë në Slloveni. Kanë ardhur lojtarë të rinj, do të vijnë disa të tjerë, në mënyrë që skuadra të plotësohet dhe të bëjë sa më mirë në Champions. Për Gegën urova të jetë si Venger po nuk mendova titullin. E fituam titullin dhe jam i mendimit që një projekt të jetë i gjatë dhe idetë e trajnerit të jenë pjesë e futbollistëve në mënyrë të vazhdueshme. Vjet bëmë një hap të madh dhe tani shpresoj të bëjmë një tjetër hap të madh duke parë stërvitjen dhe marrëdhënien dhe të ngremë nivelin tekniko-taktik të skuadrën”, u shpreh Rama.

Zgjedhja e një trajneri italian në krye të Partizanit, është sepse, sipas Olsi Ramës, kërkohet frymë evropiane në ekip. Lerda ka mbaruar Koverçianon me nota shembullore, ndaj sipas numrit dy të klubit të kuq, mendon se zgjedhja e tij në krye të bankinës është një hap para.

“I kam pasur në konsideratë trajnerët shqiptarë. I vlerësoj dhe janë goxha të përgatitur. Zgjidhja ime është e tillë, pasi kërkoj të fus frymë Europiane në skuadër. Dua diçka më tepër. Bashkëpunëtorët e mia dua që të përmirësojnë problemet. Lerda na ndihmon të shohim një hap përpara. Me trajnerin bëmë një marrëveshje xhentëllmene. Trajneri e ka mbaruar Koverçanon me nota shembullore. Kam pyetur edhe bashkëpuntorët e tjerë, më ka bindur më tepër se çdo gjë, dëshira e tij dhe entuziazmi. Kishte konsideratë për Shqipërinë dhe dëshirë për të bërë më të mirën në karrierë. Në Shqipëri, Partizani duhet të jetë një urë për të gjithë lojtarët e rinj që të lancohen në Europë”, ka thënë ndër të tjera Rama.



Skip to toolbar