Olsi Rama: Do rrisim profesionalizmin, Partizani me frymë europiane

Gjatë prezantimit të trajnerit të ri të Partizanit, Franko Lerda, drejtori sportiv Olsi Rama ka shpalosur objektivat për sezonin e ri, ku sipas tij, synim do të jetë rritja e profesionalizmit. “Një nga synimet e mija kryesore është të rris nivelin e profesionalizmit dhe t’iu jap mundësi lojtarëve të përfaqësohen në vazhdimësi. Sfida e parë është në shortin e Champions Ligës. Shpresoj që goglat të na sjellin fat. Sido të jetë punë, do luajmë 11 kundër 11”, u shpreh Rama.

Më tej, Rama tha se Partizani do të grumbullohet në fazë përgatitore në Slloveni, ndërsa u shpreh se Skënder Gegës i ka uruar të jetë si Arsen Venger. “Ekipi do të grumbullohet për fazë në Slloveni. Kanë ardhur lojtarë të rinj, do të vijnë disa të tjerë, në mënyrë që skuadra të plotësohet dhe të bëjë sa më mirë në Champions. Për Gegën urova të jetë si Venger po nuk mendova titullin. E fituam titullin dhe jam i mendimit që një projekt të jetë i gjatë dhe idetë e trajnerit të jenë pjesë e futbollistëve në mënyrë të vazhdueshme. Vjet bëmë një hap të madh dhe tani shpresoj të bëjmë një tjetër hap të madh duke parë stërvitjen dhe marrëdhënien dhe të ngremë nivelin tekniko-taktik të skuadrën”, u shpreh Rama.

Zgjedhja e një trajneri italian në krye të Partizanit, është sepse, sipas Olsi Ramës, kërkohet frymë evropiane në ekip. Lerda ka mbaruar Koverçianon me nota shembullore, ndaj sipas numrit dy të klubit të kuq, mendon se zgjedhja e tij në krye të bankinës është një hap para.

“I kam pasur në konsideratë trajnerët shqiptarë. I vlerësoj dhe janë goxha të përgatitur. Zgjidhja ime është e tillë, pasi kërkoj të fus frymë Europiane në skuadër. Dua diçka më tepër. Bashkëpunëtorët e mia dua që të përmirësojnë problemet. Lerda na ndihmon të shohim një hap përpara. Me trajnerin bëmë një marrëveshje xhentëllmene. Trajneri e ka mbaruar Koverçanon me nota shembullore. Kam pyetur edhe bashkëpuntorët e tjerë, më ka bindur më tepër se çdo gjë, dëshira e tij dhe entuziazmi. Kishte konsideratë për Shqipërinë dhe dëshirë për të bërë më të mirën në karrierë. Në Shqipëri, Partizani duhet të jetë një urë për të gjithë lojtarët e rinj që të lancohen në Europë”, ka thënë ndër të tjera Rama.

Olsi Rama: Ka qenë fat që kam punuar me Gaz Demin, secili bëri atë që i takonte

Olsi Rama është një nga hallkat kyçe të suksesit të këtij sezoni për Partizanin. Merkato, trajneri, shuarja e polemikave, disiplina dhe rregulli janë disa nga meritat kryesore të drejtorit sportiv të Partizanit gjatë këtij sezoni, duke e rikthyer klubin në fronin e fitimtarëve këtë sezon. Pas ndeshjes dhe marrjes në dorëzim të titullit kampion, numri dy i klubit të kuq ka folur për mediat duke analizuar gjithçka.

Trofeu për ju…

E kam ngritur një trofe në basketboll dhe ky është trofeu i dytë. Kënaqësi e veçantë, pasi kam kontribuuar me përulësi në shtëpinë e një mikut tim, për të ndihmuar në rikthimin e titullit te Partizani, pas shumë viteve.

Rrugëtimi i Partizanit…

Ka qenë një fat që kam punuar me Gaz Demin, miku im dhe presidenti i Partizanit. Ka qenë fat që kam punuar me Skënder Gegën dhe stafin e tij, por edhe me këta djem të mrekullueshëm. Ne vendosëm që të bënte gjithsecili detyrën që i takonte, por ndonjëherë edhe më tepër, gjithmonë duke shtuar dozën e profesionalizmit. Ky ishte edhe synimi ynë i vërtetë, por për fat të mirë ia dolëm të marrim edhe titullin në fund. Shpresoj të kemi ndërtuar një bazë për të ardhmen dhe të arrijmë edhe më shumë suksese.

Deklaratat e Dukës se “Partizani e fitoi vetë titullin?”

Unë nuk bëj polemika me askënd. Edhe vetë si tip jam i tillë. Qëllimi i Partizanit nuk ka qenë që të krijojë polemika, dhe synimi im ka qenë të mbajmë preisonin larg ekipit. Lojtarët kanë qenë më të qetë, dhe kështu kanë ardhur dhe rezultatet që duhej të vinin. Partizani nuk ka për synim që të bëjë polemika.

Partizani evropian?

Ekipi merr pushimet tashmë, të cilat i meriton plotësisht, pasi kanë kaluar një periudhë vërtetë të ngarkuar. Duhet që djemtë të shkojnë pranë familjeve, për t’u çliruar si fizikisht, ashtu edhe psikologjikisht dhe për të qenë gati për sezonin e ardhshëm. Pjesën e përforcimit të skuadrës ne e kemi në konsideratë çdo ditë, por tani është moment më “i nxehtë” dhe shpresoj që të marrim vendimet e duhura. Unë nuk do të përqendrohem për të ndërtuar një Partizan vetëm për Europën, por dua të sjell elementë që të mund të bëhen pjesë integrale e ekipit dhe të na shërbejë si në garat europiane, ashtu edhe sezonin e ardhshëm.

Tirana e Kuqe për një ditë. Partizani superfestë për titullin Kampion

Titulli rikthehet zyrtarisht në kryeqytet, është i Partizanit, “Mbretit” të Superligës për këtë sezon. Një pritje e gjatë prej 26 vjetësh ka marrë fund sot pasdite, kur Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka i ka dorëzuar trofeun e titullit kampion kapitenit të Partizanit.

Atmosferë elektrizuese në “Selman Stërmasi”, aty ku mijëra tifozë kanë derdhur lot gëzimi, ashtu sikundër edhe drejtuesit e klubit të kuq. Gjithçka ndodhi pas përfundimit të ndeshjes me Kukësin, me ndeshjen që u mbyll në barazim 1-1.

Në fakt u duke se Partizani do festonte me humbje në ndeshjen e parafundit të kampionatit, por arriti ta shmang disfatën, duke barazuar me Çinarin, pas golit të shënuar më herët nga Reginaldo.

Më pas është zhvilluar dhe ceremonia zyrtare e dorëzimit të titullit, ku kampionët kanë shpërthyer në lot gëzimi, të merituar pas një sezoni spektakolar, të dominuar nga fillimi deri në fund. Skënder Gega pas ndeshjes ka treguar edhe sekretin e suksesit të ekipit të tij.

“Humbja 1-3 ndaj Luftëtarit ishte një goditje e rëndë. Këto momente të bësh të dyshosh te puna dhe ajo që ke bërë. I gjetëm forcat, ky është sekreti .Kemi qenë konsant, kemi gabuar më pak se ekipet e tjera. Besoj se e meritojmë. Ka shkuar çdo gjë mirë”.

“Ndeshja e fundit në derbi ka qenë gëzimi më i madh. 1987 ka shumë kohë, e mbaj mend si sot. Por si trajner jam lodhur më shumë. I jam mirënjohës çdo njeriu që ka bashkëpunuar me mua, tifozët, etj. Ka qenë emocion i jashtëzakonshëm”.

Sot doja të fitoja. Doja ta mbyllja me fitore. Për fat të mirë, gjithçka shkoi “fair-play”. I uroj Kukësit dhe çdo ekipi të Superiores një vit të mbarë dhe suksese. Sfida të gjata na presin. Duhet të sillemi më mirë, për të çuar mesazh të qartë që ky sport na lumturon. Të shohim diccka që është investim për brezat tonë”.

I emocionuar dhe i lumtur njëkohësisht ka qenë dhe drejtori sportiv Olsi Rama, që ka dorën e tij në këtë sukses të Partizanit. “E kam ngritur një trofe në basketboll dhe ky është trofeu i dytë. Kënaqësi e veçantë, pasi kam kontribuuar me përulësi në shtëpinë e një mikut tim, për të ndihmuar në rikthimin e titullit te Partizani, pas shumë viteve”.

Olsi Rama: Ftoj tifozët të festojmë titullin, do investojmë te të rinjtë

Drejtori Sportiv i Partizanit Olsi Rama ka folur sot për mediat gjatë një aktiviteti me fëmijët jetim të kryeqytetit. Numri dy i klubit të ‘kuq’ u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, duke u bërë një thirrje tifozëve për të qenë të pranishëm në “Selman Stërmasi”, për të festuar së bashku me lojtarët marrjen e trofeut të titullit kampion. Ai ka pohuar se Partizani do të fokusohet te talentet e reja, ndërsa mohoi se ka pasur një tratativë për të afruar mesfushorin e kombëtares Migjen Basha.

Vite më parë Partizani ngjante si një skuadër jetime, por ja ku jemi sot, në ditën e jetimëve më të kompletuar se kurrë në të gjitha drejtimet?

Asnjëherë Partizani nuk është ndjerë jetim ndër vite dhe për këtë duhet të falënderojmë tifozët tanë, të cilët asnjëherë nuk e kanë braktisur ekipin dhe në ditët më të vështira.

Çfarë mesazhi sillni në ditë si këto?

Sporti dhe futbolli duhet ti bashkojë njerëzit dhe duhet të bëjë të ndihen afër sidomos për jetimët që duhet të mësojnë të sillen si kampionë përpara se ndoshta ta bëjnë një gjë të tillë në fushat e jetës ku operojnë.

A mund të quhet me shaka kjo ndeshje me jetimët përgatitje për ndeshjen me Kukësin. Si i komentoni deklarat për “gjunjët” e Partizanit?

Të shkuara të harruara, respektojmë çdo rival dhe shpresojmë të jetë një ndeshje e bukur. Partizani është zyrtarisht kampion por kemi detyrim ndaj tifozëve të luajmë për të fituar. Shpresoj që stadiumi të jetë plot sepse do jetë edhe ceremonia e titullit kampion.

Cila do jetë strategjia në merkato?

Normalisht unë kam shumë dëshirë të fokusohem te të rinjtë, por liga e kampioneve është një aktivitet që kërkon dhe gërshetim të lojtarëve me përvojë dhe do operojmë me kujdes në këtë sektor.

A është Basha një opsion?

Nuk kemi tratativë zyrtare me të. Ai doli një foto me lotjarët e Partizanit në grumbullimi e Kombëtares, por kjo nuk do të thotë që do jetë lojtar i Partizanit.

Në cilin stadium do luajë Partizani sezonin e ardhshëm?

Unë besoj te premtimi i presidentit Demi që do të kemi stadiumin e Partizanit. Do shohim me qetësi nëse “Selman Stërmasi” apo “Arena Kombëtare” do na ofrojnë kushtet më të mira në gjithë drejtimet. Shpresojmë të kemi dhe më shumë tifozë në sezonin pasardhës.

Olsi Rama: Tani dua të festoj, s`më intereson sezoni i ardhshëm!

Olsi Rama nuk mund t`i përmbahej emocioneve pas ndeshjes derbi, ku Partizani fitoi përsëri ndaj Tiranës, duke festuar njëherazi dhe titullin kampion. Pas ndeshjes, numri dy i klubit të kuq ka folur për mediat duke treguar edhe modesti gjatë fjalës së tij në lidhje me fitoren e titullit. Më tej gjatë fjalës së tij, ai ka theksuar se për momentin është i përqëndruar te festa e titullit, ndërsa më pas do të mendohet për merkaton dhe kupat e europës.

“Besoj se erdha në një klub me shumë traditë dhe ku pjesa më e madhe e punës ishte bërë. Me ndihmën e presidentit dhe me të stafit, kurorëzuam një sukses që kishte kohë për të cilin punohet”, u shpreh drejtori sportiv i Partizanit.

“Partizani është një klub i madh dhe me të gjithë vështirësitë që mund të kesh, ka suport të madh nga njerëzit. Humbje do të ketë gjithmonë, por rëndësi ka si ngrihesh pas humbjes. Sado të bëjmë ndryshime të mëdha në ekip, parësore për ne ka qenë të instalojmë një skuadër një frymë besimi dhe të jemi sa më të afërt me njëri-tjetrin”.

“Nuk ka mbaruar akoma kampionati, pasi ka dhe tre ndeshje. Duhet të japim maksimumin tonë, ta ngrejmë trofeun kundër Gjirokastrës. Unë e kam kuptuar potencialin e ekipit në ndeshjen kundër Mariborit. Ju mbase nuk e besoni, por në humbjen aksidentale në Korçë në javën e parë, ekipi tregoi që ishte në rrugën e mbarë”, zbuloi Rama.

“Mua nuk më intereson fare për momentin sezoni i ardhshëm. Dua të shijoj fitoren e sotme. Se sa përqind e ekipit do të rikonfirmohet, ende nuk ka ardhur në axhendën time. Preferoj të punoj me lojtarët që kam, por aty ku do të jetë nevoja, do të ndërhyjmë në merkato, si për Champions League, ashtu dhe për sezonin e ardhshëm”, deklaroi drejtuesi i lartë i kampionëve.

“Unë nuk i ndaj lojtarët, pasi i gjithë ekipi punon që të shkojë te goli. Megjithatë, ata që shënojnë marrin merita më të mëdha. Falënderoj Shkodrën, pasi na ka dhënë dy fitore në derbi. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të shikoni seriozitetin e Partizanit. Futbolli luhet me karakter dhe këta çuna që janë këtu, e kanë kuptuar që ndeshjet nuk fitohen ditën e diel, por gjatë gjithë javës”,

Olsi Rama largon euforinë: Titullin e festojmë kur të sigurohet matematikisht

Olsi Rama ishte i vetmi nga anëtarët e FSHF-së që foli sot pas punimeve të Asamblesë së Qeverisë Shqiptare të Futbollit. Numri dy i klubit të Partizanit u pyet nga gazetarët rreth titullit kampion, që tashmë duket se po rikthehet në shtëpinë e ‘kuqe’ pas 26 vitesh mungesë. Ai nuk nxitoi të shfaqte eufori për të festiar para kohe titullin, duke u shprehur se duhet konfirmuar zyrtarisht edhe nga matematika.

“Të mos flasim për të para kohe. Nuk është çështje tersi, por nuk urohet datëlindja përpara se të vijë dita e caktuar. Janë për t’u luajtur edhe shtatë javë të tjera kampionati. Pra, mbeten në lojë edhe 21 pikë. Më pëlqeu ajo që tha trajneri Gega.

Klubi kërkon rezultatin, unë kërkoj gjithmonë trepikëshin. Partizani duhet të japë maksimumin në çdo ndeshje dhe ta arrijë objektivin sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka festë për titullin, as mendojmë për të, pa u zyrtarizuar edhe matematikisht.

E veçanta e Partizanit të këtij sezoni? Besoj se është disiplina, respekti i ndërsjellë mes lojtarëve dhe stafit teknik, rregulli. Dëshira e djemve për fitore dhe sukses e bën këtë grup të mrekullueshëm dhe të fortë.

Si drejtor jam munduar të jem i kujdesshëm në çdo moment, ta mbaj ekipin sa më larg euforisë. Ky është një faktor që ndonjëherë edhe të ndihmon, por më së shumti të dëmton.

Batutat me Gjicin? Ai më tha se nuk ka përfunduar ende kampionati. Me humor i kujtova se duhet të ketë kujdes, të mbrojë vendin e dytë, se mos i rrezikohet edhe ai”.

Rama foli edhe në lidhje me pjesëmarrjen në Champions nga të tijtë, sezonin e ri: “Nuk kemi vendosur objektiva. Sigurisht që rritja cilësore e ekipit të bën ta ngresh stekën. Për ne e rëndësishme është të ruajmë këtë lloj integriteti dhe të përforcohemi me ndonjë element cilësor”.

Skip to toolbar