Operacion ‘blic’ në Tiranë, pranga katër personave

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka njoftuar pasditen e të premtes se ka arrestuar disa shtetas për vepra të ndryshme penale, gjatë një aksioni të befasishëm në të gjithë territorin e kryeqytetit. Seksionit i Kërkimit, pasi ka zbuluar në rrugë operative, ka bërë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim, me inicialet S. D., banues në Tiranë, për veprat penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë” dhe “Goditja për shkak të detyrës”, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka lëshuar për të urdhër ndalimi, sepse ky shtetas ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë të caktuar me shërbim, gjatë protestës së banorëve në zonën e Astirit.

Ka rënë në prangat e punonjësve të Komisariatit nr. 5 për veprat penale: “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, shtetasi me inicialet I. Gj.,34 vjeç banues në Kamzë, pasi më datë 05.07.2019 së bashku me 3 persona të tjerë ka kundërshtuar dhe goditur dy punonjës Policie, të cilët po kryenin shërbimin në një nga zonat e Bathores. Punonjësit e policisë kishin shkuar për të mbyllur lokalin për shkak të orës së vonë, por ky person së bashku me 3 të tjerë tashmë të arrestuar kanë goditur dhe penguar punonjësit e policisë të kryenin detyrën.


Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 3, kanë arrestuar për veprën penale “Mashtrimi” shtetasi me inicialet J. B., 42 vjeç banues në Tiranë, pasi ky shtetas kishte përvetësuar me anë të mashtrimit një sasi parash nga një person tjetër. Nga ana e Patrullave të Përgjithshme dhe Specialistëve për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, Tiranë, u arrestua në flagrancë shtetasi maqedonas me inicialet T. S.,48 vjeç, për veprën penale “ Vjedhja” e mbetur në tentativë, pasi ndaj tij është bërë kallëzim nga menaxheri i një qendre tregtare ku ky shtetas ka tentuar të vjedhë veshje të ndryshme.




Skip to toolbar