“21 janari festë zyrtare”, Debate brenda socialistëve

AKTUALITET


Kërkesa e opozitës parlamentare për ta shpallur 21 janarin festë kombëtare ka shkaktuar debate në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, jo vetëm mes opozitës dhe maxhorancës por edhe mes deputetëve të PS-së. Kërkesa për shpalljen e 21 janarit festë kombëtare është parashtruar në Kuvend nga nënkryetari i Kuvendit Myslim Murrizi dhe synimi i tij është që të përkujtohet Kongresi i Lushnjes si një moment historik për vendin që shënon ditën e parlamentarizmit në Shqipëri. Murrizi tha se ka marrë kërkesë nga Këshilli Bashkiak i Lushnjes për ta shpallur këtë datë festë kombëtare, ndërsa thotë se rëndësia e saj historike është e njejtë me atë të 28 nëntorit.

“Kongresi i Lushnjes duhet të jetë Festë Zyrtare, pasi ka qenë me rëndësi të madhe për vendin. Kërkesa i është dërguar Kreut të Kuvendit, kryeministrit, si dhe presidentit. Kongresi i Lushnjes është viti i parë i Parlamentarizmit, është festuar për 17 vite me radhë, deri në 1939. Në diktaturë 21 janari u zëvendësua me 11 janarin. 1 ditë festë më shumë, kushton shumë më pak se një PPP që jepni ju. Përveç 28 Nëntorit, asnjë festë s’ka rëndësinë e 21 janarit. Ky duhet të ishte një nga propozimet e bëra që në Kuvendin e parë pluralist. Kërkoj që 21 janari për rëndësinë që ka kjo datë, të shpallet festë kombëtare siç është 28 nëntori apo festat e tjera”, u shpreh Myslim Murrizi në mbledhjen e komisionit të ligjeve.


Por propozimi i tij u kundërshtua nga deputeti socialist Alket Hyseni i cili tha se çdo festë zyrtare sipas ligjit është ditë pushimi për administratën publike dhe kjo do të thotë se shoqërohet me një faturë financiare. Ndërsa tha se Shqipëria ka 14 festa zyrtare më shumë se shtetet e tjera, Hyseni deklaroi se një festë më shumë do kishte efekte në buxhet.

 “Propozimi për të shpallur 21 janarin si festë zyrtare ka qenë një nismë më e hershme. Kongresi i Lushnjës është një moment me rendësi në histori. Çdo vend ka një numër limit të festave zyrtare. Kemi 14 festa, më shumë se çdo vend i rajonit. Përcaktimi i festës, ditë pushimi për institucionet shoqërohet me efekte financiare. Një dite tjetër feste zyrtare rëndon buxhetin”, deklaroi Hyseni.

Por në këtë pikë Hyseni është kundërshtuar nga kolegu i tij socialist, Bashkim Fino, i cili tha se ndikimi në buxhet nuk është shumë i madh. Fino tha se mirë do të ishte që kjo datë të quhej festë kombëtare, por mos të ishte ditë pushimi.

“Është absurde që të mos e bëjmë festë zyrtare këtë datë të rëndësishme me argumentin se është ditë pushimi dhe ka efekte në buxhet. Nuk duhet të udhëhiqemi nga pikëpamja financiare, se nuk përbën problem. Unë mbështes nënkryetarin e kuvendit që 21 janari të quhet festë zyrtare shqiptare për të përkujtuar kongresin e Lushnjes dhe krijimin e parlamentarizmit shqiptarë. Se bëhet pushim se s’bëhet pushim, s’ka problem. Dua vetëm që kjo datë të shënohet me gërma të arta”, tha Fino.

Në përfundim të mbledhjes deputetët vendosën ta shtyjnë vendimmarrjen për këtë kërkesë, pas propozimit që bëri kryetari i komisionit Ulsi Manja që të marrin mendime edhe nga qeveria për faturën financiare. Manja gjithashtu propozoi që të bëhen ndryshime në ligjin për festat zyrtare, pasi është një ligj i vjetër i vitit 1992 dhe shumë festa mund të jenë zyrtare dhe nuk është e thënë që të jenë ditë pushimi.

“Ka ardhur koha që Akademia e Shkencave të ngrejë një grup pune dhe të shohë datat e festave kombëtare që kemi. T’i marrim edhe qeverisë një mendim për faturën financiare, sepse në fund të fundit vendimmarrja jonë ka një faturë financiare. Unë nuk shoh emocione politike këtu për këtë datë, sepse rëndësinë historike ia njohim. Na e detyron rregullorja që të marrim mendim nga qeveria. Të rishikohet ligji se është i viti ‘92 dhe sipas mendimit tim jo çdo festë zyrtare mund të jetë ditë pushimi. Pra mund të jetë datë feste kombëtare por s’mund të jetë ditë pushimi për administratën. E shtyjmë votimin në parim të këtij projektligji dhe të marrim këto mendime para se të votojmë”, tha Manja.

Kujtojmë se çdo 21 Janar, Partia Socialiste përkujton 4 protestuesit e vrarë në bulevard nga qeveria Berisha.




Skip to toolbar