U kërcënua me jetë, Rudina fiton truprojë

AKTUALITET


Kryetarja e grupit demokrat në parlament Rudina Hajdari është marrë nën mbrojtje, pas deklarimeve se është kërcënuar në zyrën e saj në Kuvend. Garda mori përsipër sigurinë e deputetes së opozitës duke i vendosur një truproje të posaçme që e shoqëron Hajdarin në kryesinë e Kuvendit.

Rudina Hajdari tha në seancën parlamentare të 28 tetorit se është kërcënuar brenda në zyrën e saj në Kuvend dhe i kërkoi kreut të Kuvendit të marrë masa në lidhje me sigurinë e jetës së saj, pasi siç tha ajo një vrasje mund të ndodhë brenda në Kuvend.


“Para pak ditësh ju kam dërguar një shkresë në lidhje me një kërkesë që ju kërkon të siguroni ambientet e Kuvendit dhe të Kryesisë së Kuvendit. Nuk mund të ndodhë sot që në 2019 deputetët të kërcënohen. Është e papranueshme që një femër të kërcënohet. Më kanë ardhur në zyrë e më kanë kërcënuar. Nuk mundet të ndodhë më, ka ikur ajo kohë. Merrni masa para se të kemi ndonjë viktimë në parlament. Asnjë deputet mos të hyjë pa u kontrolluar, asnjë deputet të mos vijë me përforcime me njerëz të tjerë dhe të shantazhojë”, tha Hajdari, ndërsa në përgjigje kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se e ka marrë shkresën e saj dhe ia ka kaluar ministrisë së Brendshme që të marrë masa shtesë.

Në lidhje me ngjarjen deputeti i opozitës Halit Valteri tha se këto kërcënime kanë ardhur nga brenda grupit, ndërsa deputeti Ligoraq Karamelo tha për mediat se kërcënuesi ishte Korab Lita, i cili kërkoi t’i merrte dhe kryesinë e grupit demokrat. Por në një dalje për mediat vetë Lita e mohoi një gjë të tillë duke thënë se nuk e ka kërcënuar Hajdarin.




Skip to toolbar