“Optimist për negociatat, opozita sinjal negativ në Bruksel”

POLITIKË


Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Dimitris Papadimoulis e sheh me optimizëm hapjen e negociatave për Shqipërinë, por shton se largimi i opozitës nga parlamenti dhe mospjesëmarrja në zgjedhje janë një sinjal negativ në Bruksel.

Papadimoulis theksoi se palët duhet të punojnë për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe me reformat e tjera deri në marrjen e një vendimi në qershor tha ai për Tv Klan.

Dimitris Papadimoulis, zv.president i PE: Qeveria Tsipras dhe unë personalisht, si zv/president i Parlamentit Europian, jemi pozitivë sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Por është e rëndësishme që gjatë kohës që ka mbetur (deri në fund të qershorit), të bëhen hapa për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, për trajtimin e problemeve të minoritetit grek (të drejtat e pronës, etj.), dhe gjithashtu të avancojë disa reforma që përfshihen në kartën e Kopenhagës. Gjithsesi, fqinjët tanë shqiptarë mund të jenë të sigurt se Greqia, me qeverinë Tsipras është një mike dhe mbështetëse e anëtarësimit të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.

Gazetari: Ndërkaq, në Shqipëri opozita ka djegur mandatet parlamentare, refuzon pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, dhe në anën tjetër kryeministri Rama insiston që zgjedhjet të zhvillohen. Gjithë këto, a mund të influencojnë në vendimin e Brukselit?

Dimitris Papadimoulis, zv.president i PE: Druaj se po. Dhe përgjithësisht, refuzimi i partive të opozitës për të marrë pjesë në procesin parlamentar dhe demokratik, nuk është një shenjë e mirë, nuk interpretohet si gjë e mirë nga Brukseli. Do të thoja që vetë forcat politike në Shqipëri të gjejnë një mënyrë që ta shtensionojnë këtë krizë dhe mënyra më e mirë është pjesëmarrja në proceset demokratike.



Skip to toolbar