OSBE i ka dhënë një godite të fortë Presidentit Meta për dekretin e anulimit të zgjedhjeve më 30 qershor, ku kreu i OSBE, Miroslav Lajçak ka deklaruar se vendimi i Metës thellon më tej krizën politike, duke shkaktuar ndalim të funksionimit të institucioneve shtetërore. Madje, ai nuk është ndalur vetëm me qëndrimin për veprimin e Presidentit Meta, por ka shkuar më tej, kur ka kërkuar që institucionet shqiptare të zhvillojnë zgjedhjet brenda datës 30 qershor.
Në njoftimin zyrtar, deklarohet qartazi se Kryetari i Radhës i OSBE-së, njëkohësisht Ministër i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, “shprehu sot shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, të cilat mund të thellojnë më tej krizën politike dhe të çojnë në ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore”.
Kryetari i Radhës u bëri thirrje udhëheqësve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë legjislacionin në fuqi, si edhe rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse. Pritshmëria jonë është që udhëheqësit do të veprojnë në përputhje me parimet demokratike dhe do të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre, brenda kufijve kohorë të vendosur nga kuadri ligjor shqiptar”, tha Lajçak, në një kohë që sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor 30 qershori është afati i fundit ligjor për zhvillimin e zgjedhjeve. Gjithashtu, ai shprehu besimin e tij se Shqipëria është e aftë ta trajtojë vetë situatën, brenda kornizës së saj kushtetuese dhe ligjore, dhe se do të gjejë një zgjidhje, e cila do t’i mundësojë vendit të përqendrohet në sfidat e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë.
Më këtë deklaratë, Lajçak konfirmoi edhe qëndrimin e ambasadorëve të huaj në takimin me kryeministrin Rama, ku burimet kishin shpjeguar për realstory.al, se ata kanë mbështetur maxhorancën për këmbënguljen e saj për të ecur përpara me zgjedhjet, pavarësisht lëvizjes së Presidentit.