“Ndryshimi i rregullave para zgjedhjeve”, opozita e bashkuar kerkesë OSBE/ODIHR për 5 çështje kyçe

Opozita e Bashkuar paraqiti në mbledhjen e Këshillit Politik një kërkesë konkrete për të marrë asistencën e OSBE\ ODIHR për disa çështje themelore për të cilat palët nuk bien dakord. Deri tani, PS ka refuzuar t’i bashkohet kërkesës, duke përdorur “sovranitetin” si argument kundër përfshirjes së OSBE/ODIHR, megjithëse kjo është pjesë e marrëveshjeve për reformën zgjedhore. 5 pyetjet kryesore, të ngritura në kërkesën e paraqitur nga opozita, kërkojnë përgjigje për:

  1. A përputhet me standardet ndërkombëtare mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve?
  2. A i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a është në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR.
  3. A mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve?
  4. A minon barazinë në garë dhe a bie ndesh me disa standarde të OSBE/ODIHR ndryshimi i njëanshëm i rregullave shumë afër zgjedhjeve?
  5. Në kushtet e mosdakordësisë, cila është një zgjidhja në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR për zgjedhje demokratike?

Në letrën drejtuar OSBE/ODIHR, ku shpjegohet edhe qendrimi i palëve, opozita thekson se koha e përgjigjes është shumë e rëndësishme.

“Do ta vlerësonim shumë përgjigjen e shpejtë ndaj çështjeve të mësipërme, pasi është shumë e rëndësishme për të adresuar mosmarrëveshjet mes palëve, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për palët, që do të krijonte një klimë besimi të qytetarëve në një proces zgjedhor demokratik.”- thuhet në kërkesën e Opozitës së Bashkuar drentuar OSBE/ODIHR-it.

Raporti për korrupsionin, OSBE: Zbatoni reformën në drejtësi

Prezenca e OSBE në Tiranë, reagoi të enjten në lidhje me raportin e Transparency International për perceptimin publik të korrupsionit. OSBE shpreh keqardhje për rezultatet e raportit për perceptimin publik të korrupsionit në Shqipëri. Gjithashtu, Zyra e Prezencës së kësaj organizate, thotë se “prirja e përgjithshme negative në rajonin e Evropës Juglindore, përfshirë dhe Shqipërinë, sa i përket luftës kundër korrupsionit mbetet shqetësuese.

“Vërejmë me keqardhje vijimin e përkeqësimit të perceptimit publik ndaj korrupsionit në vend, siç dëshmon Indeksi më i fundit i Transparency International, rezultatet e të cilit u botuan sot. Shqipëria shënoi një pikë më pak në krahasim me vlerësimin e vitit 2018, duke humbur shtatë vende në klasifikimin global. Prirja e përgjithshme negative në rajonin e Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, sa i përket luftës kundër korrupsionit mbetet shqetësuese”, thotë OSBE.

Megjithatë, OSBE i bën thirrje institucioneve shqiptare dhe organeve ligjzbatuese të vijojnë zbatimin e reformës në drejtësi, ndërsa kërkon më shumë transparencë për shpenzimet publike. “Në dritën e gjetjeve të Transparency International, Prezenca e OSBE-së i bën thirrje institucioneve publike dhe organeve ligjzbatuese të vijojnë zbatimin e reformës në drejtësi dhe atyre kundër korrupsionit, të sigurojnë integritet dhe transparencë më të madhe institucionale në shpenzimet publike, si dhe të zgjerojnë hapësirën për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në monitorim të pavarur”, thotë OSBE.

Ndërsa në fund, kjo organizatë përsëritë thirrjen që të adresohen në reformën zgjedhore rekomandimet e OSBE/ODIHR për financimin e partive në fushtat zgjedhore. ‘Meqenëse analiza mbarëbotërore e Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit këtë vit thekson nevojën për adresimin e korrupsionit në zgjedhje, përsërisim thirrjen tonë për reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, përfshirë ato lidhur me financimin e partive dhe të fushatave zgjedhore”, thotë OSBE.

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi tw enjten Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, i cili vlerëson se mbi dy të tretat e vendeve janë duke shënuar hapa prapa në përpjekjet antikorrupsion. Perceptimi mbi korrupsionin mbetet i njëjtë në Shqipëri dhe për vitin 2019, ashtu si në vitin 2018, ku rezulton se Shqipëria nuk ka bërë hapa para dhe kjo ka bërë që ajo të zbresë në renditjen e 180 vendeve të futura në përllogaritje nga organizata Transparency International.

“Nuk premtoj mrekulli”, Rama në Ukrainë: Do punojmë për të arritur paqen

Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të OSBE, nisi të hënën vizitën dy ditore në Ukrainë. Pas takimeve që pati me disa zyrtarë të lartë të këtij vendi, Rama mbajti një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vadym Prystaiko.  Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se nuk do të bëjë mrekulli në krye të OSBE, por theksoi se synim mbetet “zgjidhja e konfliktit dhe ndihma ndaj njerëzve në zonat e prekura nga konflikti midis Ukrainës dhe Rusisë”.

“Dua t’ju falenderoj për diskutimet e sinqerta dhe produktive. Pres me padurim të takohem me kryeministrin dhe presidentin dhe autoritete të tjera të larta gjatë ditës. Nuk është rastësi që Ukraina është vizita ime e parë si kryetar i Presidencës së OSBE-së, ajo reflekton rëndësinë e përpjekjeve për të zgjidhur krizën. Do të bëjmë maksimumin dhe do të inkurajojmë fort zbatimin e marrëveshjeve të Minskut.

Ndërkohë që marrëveshjet, formatet po diskutohen dhe duke qenë se shumë kohë e ndoshta do të kërkohet, ajo çka mbetet thelbësore mbetet jeta e njerëzve dhe vështirësitë që të gjithë ata përballin duke jetuar në zonat e prekura nga konflikti. Aty është ku ne do të punojmë pa reshtur duke bërë gjithçka, pasi garantimi i ndalimit të të shtënave dhe një armëpushim i qëndrueshëm është jetik për jetën e njerëzve atje”, tha Rama.

Rama tha se rruga drejt paqes është e gjatë, ndërsa u shpreh se misioni i OSBE do të punojë për të arritur finalizimin e këtij procesi. “Konflikti vijon të prodhojë viktima civile dhe kjo është e papranueshme. Kjo duhet të ndalet. Synimi ynë është ë sigurojmë armëpushim të plotë. Rruga është e gjatë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe unë jam këtu për t’iu thënë se përfaqësuesi im i posaçëm në Ukrainë do të të eksplorojë mënyrën si të ecë sa më mirë ky proces.

Ne ndajmë bindjen që kontributi që është dhënë nga misioni i monitorimit është unik dhe thelbësor për të ulur tensionet dhe rivendosur paqen. Unë ndava me ministrin për të mbështetur më shumë me një buxhet më solid për tu siguruar që ta luajë më mirë rolin e vet. Në Ukrainën Lindore dua të shoh personalisht situatën dhe ndikimin praktik në terren të misionit të monitorimit.

Jemi të vendosur për të ndihmuar që të sjellin një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe të përmirësojmë jetët e atyre që janë prekur në mënyrë brutale nga konflikti. Nuk jemi këtu për të premtuar ndonjë mrekulli, por e dimë se ka diçka që ne mund ta bëjmë më mirë se të tjerët, për të ndihmuar që të lehtësojmë sa shumë të jetë e mundur jetët e atyre që janë të pafajshëm” tha ai. Gjatë vizitës në Ukrainë, si kryetar i OSBE, Rama do të ketë takime me drjetuesit e këtij shteti, ndërsa të martën do të vizitojë zonat e prekura nga konflikti në Ukrainën Lindore.

Rama nis vizitën dy ditore në Ukrainë si kryesues i OSBE. Axhenda e takimeve

Kryeministri Edi Rama, në detyrën e Kryesuesit të OSBE nisi mëngjesin e të hënës vizitën në Ukrainë. Rama shoqërohet në vizitën e tij në Ukrainë nga Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj dhe zyrtarë të tjerë të OSBE.

Kievi është zgjuar të hënën nën petkun e dëborës. Ndërsa Rama dhe delegacioni i OSBE-së zgjodhën të ecin disa minuta në këmbë, deri në godinën e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës. Takimin e parë në Kiev, Rama e zhvilloi me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës, ndërsa më pas do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të këtij shteti.

Në cilësinë e Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për vitin 2020, Rama do të zhvillojë bisedime me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, Kryeministrin Oleksiy Honcharuk dhe Kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov. Gjithashtu do të mbahet dhe një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Ukrainës.

Një ditë më parë, OSBE dha detaje nga fokusi i takimeve të Kreut të OSBE Edi Rama me zyrtarët e shtetit të Ukrainës. Sipas njoftimit, mësohet se “bisedimet do të  përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore”.

Të martën, Rama do të vizitojë Ukrainën lindore për të pasur një përvojë të dorës së parë të situatës në zonat e prekura nga konflikti dhe punën e SMM. Kryeministri Edi Rama, njoftoi më herët gjatë marrjes zyrtare të detyrës si kreu i OSBE, se vizitën e parë do ta zhvillonte në Ukrainë. Ai gjithashtu tha se do të ketë edhe një vizitë në Rusi, shtet me të cilin Ukraina është në konflikt prej disa vitesh.

“Sfidë për sigurinë e Evropës”. Edi Rama nesër në Ukrainë si kryesues i OSBE

Pak ditë pasi mori drejtimin e Zyrës së OSBE për vitin 2020, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jasthme Edi Rama, do të vizitojë Ukrainën në fillim të javës së ardhshme. Në datën 20 dhe 21 janar, Rama do të ketë një axhendë të ngjeshur takimesh e vizitash në Ukrainë dhe në zonat e konfliktit në këtë vend. OSBE bëri një deklartë publike në lidhje me vizitën e Ramës në Ukrainë, ku tregon axhendën e takimeve që do të ketë ai në cilësinë e kreut të OSBE.

“Kryetari i Përgjithshëm i OSBE-së, Kryeministri i Shqipërisë dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Edi Rama, do të vizitojë Ukrainën javën e ardhshme. Ai do të bisedojë me zyrtarë të nivelit të lartë ukrainas në Kiev dhe do të udhëtojë në lindje të vendit. Në cilësinë e Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për vitin 2020, Rama do të zhvillojë bisedime me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, Kryeministrin Oleksiy Honcharuk, Ministrin e Jashtëm Vadym Prystaiko dhe Kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov. Gjithashtu do të mbahet dhe një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Më tej, jepen dhe detaje nga çështjet që do të diskutohen mes Kreut të OSBE, Edi Rama dhe zyrtarëve ukrainas. Sipas njoftimit, mësohet se “bisedimet do të  përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore.

Të nesërmen (21 janar) ai do të vizitojë Ukrainën lindore për të pasur një përvojë të dorës së parë të situatës në zonat e prekura nga konflikti dhe punën e SMM. Kjo vizitë e parë zyrtare si Kryetar i Zyrës së OSBE-së nga Rama pasqyron rëndësinë e madhe që ai i kushton përpjekjeve të OSBE-së për të adresuar krizën në dhe rreth Ukrainës, sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot”, thuhet në deklaratën e OSBE. Kryeministri Edi Rama, njoftoi më herët gjatë marrjes zyrtare të detyrës si kreu i OSBE, se vizitën e parë do ta zhvillonte në Ukrainë. Ai gjithashtu tha se do të ketë edhe një vizitë në Rusi, shtet me të cilin Ukraina është në konflikt prej disa vitesh.

“Kryesimi i OSBE, Shqipëria është konsumatore sigurie dhe prodhuese problemesh”

Marrja e kryesimit të OSBE nga Shqipëria për 2020 është cilësuar si një status politik dhe jo një moment i përshtatshëm për vendin për të marrë drejtimin e një organizate ndërkombëtare nga analistët në studion e “Real Story” në News 24. Analisti Fatos Lubonja tha se OSBE nuk ka ndonjë fuqi lidhur me proceset demokratike dhe se me kryesimin e Shqipërisë i humb fare vlera kësaj organizate.

“Ashtu siç e di unë dhe mund ta kontrollojmë, Shqipëria u zgjodh sepse hoqi kandidaturën e vet Norvegjia. Për mua debati lidhur me OSBE-në lidhet me atë që në thelbin e vet se çfarë përfaqëson OSBE dhe me çfarë mund të na ndihmojë në procesin demokratik. Ne e kemi këtë të OSBE dhe shkojmë e qahemi dhe nga ana tjetër jemi dhe kryetarë të OSBE. Pikëpyetja e madhe është a ka ndonjë fuqi kjo OSBE-ja? Për mendimin tim, OSBE nuk ka ndonjë fuqi. Rasti i turkut e tregon këtë. OSBE-së me kryesimin e Shqipërisë i humb fare vlera dhe nuk mund të shpresojmë shumë nga OSBE”, deklaroi Lubonja.

Ndërsa analisti Skënder Minxhozi tha se ky status është thjeshtë politikë, pasi Shqipëria nuk ka për të qenë kurrë gati për një rol të tillë, pasi historikisht ka qenë konsumuese e sigurisë dhje krijuese e problemeve.

“Ne jemi historikisht konsumator sigurie dhe jo prodhues sigurie, por prodhues problemesh. Kjo është status thjeshtë politik. Është e ngjashme me procesin e kryesimit kroat në BE për këto 6 muaj, por OSBE është shumë më e madhe se Europa. Nuk ka dhe nuk ka për të pasur asnjëherë një moment të përshtatshëm për Shqipërinë për të drejtuar një organizatë ndërkombëtare. Të gjithë e dimë këtë” tha Minxhozi.

“Irani dhe drejtimi i OSBE nga Shqipëria”, rikthehet sonte “Real Story” nga Sokol Balla

Emisioni “Real Story” i gazetarit Sokol Balla rikthehet në mbrëmje në orën 21:00 në News 24, në emisionin e parë për këtë vit. Emisoni i mbrëmjes të së hënës do të fokusohet te politika e jashtme e Shqipërisë. Në pjesën e parë do të diskutohet rreth asaj që ka qenë ngjarja kryesore e këtij fillim viti, Vrasja e Kasem Sulejmanit, komandantit të forcave elitare iraniane, “QUDS”.

Gjithashtu, lajmi tjetër i rëndësishëm është marrja e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria për herë të parë në historinë tonë. Të ftuar për të diskutuar për këto tema janë Etjen Xhafaj, në cilësinë e zëvendësminsitrit të Jashtëm, Tritan Shehu, ish-ministër i Jashëm, analistët Fatos Lubonja dhe Skënder Minxhozi si dhe në lidhje direkte eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni.

Në fillim të vitit të ri 2020, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vranë Kasem Sulejmanin, komandati i forcave elitare “QUDS” të Iranit. Ky akt nxiti tensione të mëdha mes SHBA dhe Iranit, aq sa republika islamike sulmoi disa baza amerikane në Irak si shenjë hakmarrje, por fatmirësisht pa viktima.  Në të njëjtën ditë forcat ushtarake iraniane sulmuan një aeroplan civil ukrainas, që sapo ishte ngritur nga aeroporti i Teheranit.

Avioni i rrëzuar u mori jetën 176 personave në bord. Ndërkohë, lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei duke folur kundër SHBA për vrasjen e Sulejmanit, e quajti Shqipërinë “vend djallëzor”.  Ndërkohë, Kryeminsitri Edi Rama gjatë marrjes së kryesimit të OSBE, i pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria rrezikohet nga këto kërcënime, ai u shpreh: “Se nuk ka rrezik për vendin tonë”, ndërsa shtoi “se kush sulmon Shqipërinë ka sulmuar NATO-n”.

Gjithashtu, Shqipëria do të drejtojë gjatë vitit 2020, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE. Në marrjen e detyrës si kryesues i kësaj organizate, Kryeministri Edi Rama renditi disa nga prioritetet e tij, ndërsa tha se “kriza në Ukrainë është sfida kryesore”. Gjithashtu ai theksoi se OSBE do të punojë më shumë në terren në vendet ku ka konflik. /Realstory.al/

Vaj ulliri dhe mjaltë, zbulohet dhurata e Ramës për OSBE

Shqipëria mori të enjten zyrtarisht kryesimin e OSBE-së për vitin 2020. Kryeministri Edi Rama do të mbajë detyrën e Kryetarit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim përgjatë këtij viti.

Rama prezantoi të enjten objektivat e Shqipërisë si kryesuese e OSBE përpara ambasadorëve të 57 vendeve anëtare të kësaj organizate. Ndërkohë, ashtu siç e do tradita, vendi që merr kryesimin e presidencës së OSBE, shpërndan dhurata për ambasadorët.

Shqipëria kishte përgatitur një dhuratë për çdo ambasador të vendeve anëtare të OSBE. Brenda pakos gjendeshin një shishe vaji ulliri, një vazo mjaltë, një tufë me çaji mali dhe një sapun i prodhuar në mënyrë artizanale.

Të gjitha produktet që gjendeshin në pakon dhuruar ambasadorëve, janë prodhime shqiptare. Çdo vend që merr kryesimin e presidencës së OSBE bën një dhuratë simbolike, ku kryesisht zgjidhen produkte origjinale të vendit që do të drejtojë organizatën.

Rama për Realstory konfirmon vizitën në Rusi: Pjesë e axhendës në kryesimin e OSBE

Edi Rama nuk ka zhvilluar asnjëherë një vizitë në Rusi me detyrën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe nuk ka zhvilluar takime me presidentin Putin, por duket se kjo do të ndryshojë shumë shpejt për shkak të detyrës dhe rolit të ri të Shqipërisë si kryesuese e OSBE për 2020. I pyetur nga gazetari i Real Story, Thimi Samarxhiu nëse pritet të zhvillojë takime në Rusi, Rama u shpreh se shumë shpejt do të zhvillojë një takim të tillë si drejtues i kryesisë së OSBE-së, ndërsa vizitat do të shtrihen edhe në SHBA dhe Ukrainë.

“Vizita në Rusi është pjesë e axhendës së drejtuesit të OSBE. Është pjesë e angazhimeve që unë kam marrë. Kemi bërë harmonizimin e takimeve me ministrin në detyrë për të balancuar obligimet e OSBE me ato të brendshme. Disa vizita do të bëhen shumë shpejtë. Vizita në Ukrainë, SHBA dhe Rusi. Për datat presim konfirmimin nga të gjitha palët”,  shpreh Rama.

Se sa e vlefshme do të jetë edhe për Kosovën fakti që Shqipëria kryeson OSBE për 2020, Rama tha se të gjitha prioritetet dhe vendimmarrjet që do të merren gjatë drejtimit të zyrës së OSBE duhet të miratohen edhe nga të tjerët, por shtoi se janë parë me kujdes që të mos jenë dëshira të parealizueshme dhe që t’i shërbejnë edhe Kosovës. Rama tha se do të bëjë diçka për Kosovën, ndërsa shtoi me ironi “aq më tepër që në Prishtinën zyrtare jam tradhtar dhe në Beogradin zyrtar jam nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar” duke iu referuar sulmeve në lidhje me “mini-shengenin”.

“Do të bëjmë të gjitha ato që kemi planifikuar. Ne nuk marrim drejtimin e OSBE dhe nuk e marrim drejtimin për të rindërtuar OSBE apo rishpikur mekanizmat apo qasjen tradicionale, pasi faktikisht ne vërtet jemi drejtues të organizatës për një vit, por është një drejtim që është shumë koordinim me të tjetër dhe vendimmarrje që duhet miratuar patjetër me të tjetër. Nuk është le të themi drejtimi i një qeverie në një vend dhe në këtë aspekt sigurisht që kemi disa ambicie dhe kemi vendosur disa prioritete dhe kemi qenë të vëmendshëm që në këto prioritete të mos vendosim dëshira të parealizueshme. E kemi kapacitetin e duhur për të bërë diçka më tepër për Kosovën sidomos tani që në Prishtinën zyratre jam tradhtar dhe në Beogradin zyrtar jam nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar”, tha Rama.

Kryesimi i OSBE, Rama prezanton nesër në Vjenë prioritetet

Kryeministri dhe Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme Edi Rama do të jetë të enjten në Vjenë për të paraqitur programin me përparësitë e kryesimit të OSBE për vitin 2020. Sipas një njoftimi zyrtar të bërë nga OSBE, Shqipëria do të përqëndrohet në zbatimin e angazhimeve politike të OSBE-së, bërjen e ndryshimit në terren dhe vazhdimin e forcimit të dialogut të frymëzuar nga 30 vjetori i Kartës së Parisit.

Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm Thomas Greminger do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat, pasi Rama të marrë zyrtarisht detyrën e Kryetarit të OSBE. Shqipëria mori kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë nga Sllovakia në datën 1 janar të këtij viti.

Këshilli i Përhershëm i OSBE-së është një organ vendimarrës që mbledh përfaqësues të 57 shteteve pjesëmarrëse të Organizatës dhe 11 Partnerë për Bashkëpunim. Ajo mblidhet çdo javë në Vjenë për diskutuar mbi zhvillimet në zonën e OSBE-së dhe për të marrë vendimet. Gjatë vitit 2020 kjo organizatë do të drejtohet nga Shqipëria, si një nga vendet anëtare të saj.

Skip to toolbar