Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit për Ditën e Pavarësisë, e cilësoi 17 Shkurtin si arritjen më të madhe historike. Osmani falenderoi ndërkombëtarët për kontributin e dhënë veçanërisht SHBA-të, të cilat i cilësoi si shtyllën më të fuqishme të shtetësisë së Kosovës.
“Prandaj le t’i gëzohemi lumturisë që sjell fakti që ne jemi si popull i lirë mes popujsh të lirë. Sot përulemi para brezave që iu dedikuan lirisë. Le t’i kujtojmë sot ata dhe ta bashkojmë fuqinë dhe shpirtin në kujtim të tyre që sakrifikuan gjithçka që nuk u dorëzuan pavarësisht se historia u soll pabesisht me ta. Është koha të kthehemi pas dhe të kujtojmë ata që mbajtën gjallë idealin për shtetin. Kjo është Kosova që nuk u përkul asnjëherë, mbajti të gjallë frymën e lirisë dhe të dashurisë për vendin.
Në zemër të rrugëtimit tonë, qëndron edhe forca e aleancave tona. Ndaj duhet t’u falenderohemi miqve tanë të lirisë. Ishit me ne përgjatë rrugëtimit tonë kur na mohohej çdo e drejtë, kur luftonim për liri, kur u liruam dhe ndërtuam institucionet demokratike. Ju kemi edhe sot pa asnjë dyshim. Ndër këto aleanca, ajo me SHBA qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë tonë. Rrugëtimi ynë në institucionet euratlantike është e paalternativë.
Këto partneritete kanë qenë dhe mbeten jetike për zhvillimin e shtetit tonë. Këto aleanca na kujtojnë se lufta për liri dallohet edhe për mbështetjen nga ata që ndajnë me ne përkushtimin e përbashkët. Kosova fitoi jo vetëm sepse kishte çdo të drejtë, por fitoi sepse veproi mençur dhe ndërtoi vizion dhe aleanca të bazuara në vlera.”, tha Osmani