Basha mbron Haradinajn. Baze: Zyra jote e çoi në Hagë

POLITIKË


Kreu i PD, Lulzim Basha ka marrë në mbrojtje kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj sa i përket padisë që kryeministri Rama ka bërë ndaj tij në Prishtinë për shpifje. Por, botuesi Mero Baze e ka thumbuar menjëherë duke i kujtuar Bashës se zyra e tij dhe e Argitës, në vitin 2004 e çuan në Hagë Haradinajn me akuzat e Serbisë.

Reagimet kanë ardhur pasi mediat kosovare botuan padinë e Ramës ndaj Haradinajt për shpifje dhe menjëherë opozita në Shqipëri u vu në mbrojtje të kryeministrit në detyrë të Kosovës.


“Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është një perversitet i shëmtuar anti-kombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, të përballet me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës.  Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar”, deklaroi Basha.

Por, gazetari dhe botuesi i gazetës Tema, Mero Baze me anë të një reagimi në Facebook, thekson se padia e Ramës maksimumi dënon me gjobë Haradinajn, ndërsa zyra e Argita Berishës, vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe Lulzim Bashës në UNMIK e çuan në Hagë bazuar mbi akuzat e Serbisë.

“Nuk di ku e ka bazën ky “irritimi” i PD, që Edi Rama ka paditur Haradinajn në një gjykatë në Prishtinë. Maksimumi mund të dënohet me gjobë dhe ai nuk është i varfër. Kur zyra e Argitës dhe Lulzim Bashës në UNMIK e çuan në Hagë më 2004 ishte serioze jo se do bënte burg, por se ishte bazuar mbi akuzat e Serbisë”, shkruan Baze.




Skip to toolbar