Padia ndaj Dvoranit fut në ngërç KED-në. Zbulohet qëllimi i Metës

AKTUALITET


Nëse një nga prokuroritë pranon kallëzimin penal të presidentit Meta, ndaj kreut të KED-së, Ardian Dvorani, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi futet në ngërç njëlloj si Gjykata Kushtetuese. Kjo për faktin  se nëse prokuroria vendos të ndjekë penalisht Dvoranian, atëherë ai automatikisht përjashtohet nga rikandidimi për në KED, duke e futur në kolaps këtë institucion. Duket qartë se ky ka qenë qëllimi i presidentit i cili firmosi një ditë më herët padinë penale ndaj kreut të KED-së të cilën e dërgoi në 3 prokurori të ndryshme. Megjithatë juristët thonë se Dvorani nuk ka bërë asnjë shkelje penale dhe se asnjë nga prokuroritë nuk mund ta pranojë padinë.

Ligji përcakton se një person që është në ndjekje penale nga organi i akuzës nuk mund të kandidojë për të qenë pjesë e KED-së.


Shorti për përzgjedhjen e anëtarëve të KED do të hidhet në Dhjetor, ndërsa funksionimin ky institucion do ta nisë në fillim të vitit 2020 me një mandat 1- vjeçar.

Sipas ligjit, përcaktohet se kandidati plotëson kushtet kur “magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale”.

Mbetet për t’u parë nëse 3 prokuroritë, ku është dorëzuar kallzimi Penal i Metës ndaj Ardian Dvoranit, do të nisin ose jo ndjekjen penale ndaj kreut të KED. Nëse kjo ndodh atëherë “ngërçin e radhës” do ta ketë pikërisht ky institucion.




Skip to toolbar