Pafajësi Arben Çukos, gjykata: Prokuroria nuk solli prova

AKTUALITET


Pas më shumë se një viti nga momenti i arrestimit për korrupsion, ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës. Në seancën paraprake këtë të hënë, gjyqtari Sokol Toma i pushoi akuzën, me argumentin se prokuroria nuk solli asnjë provë që të lidhë Çukon me akuzën “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Arben Çuko u arrestua si pjesë e një grupi në operacionin policor “Volvo-4”. Më pas gjykata, e hetoi në masën arrest shtëpiak dhe detyrim paraqitje, deri në rrëzimin e akuzave në Dhomën Penale në Tiranë. Ish-deputeti socialist dhe ish anëtari i Komisionit të Ligjeve dhe të Sigurisë Kombëtare prej arrestimit ka mohuar akuzat.


Çuko akuzohej se në kohën kur ka qenë në krye të Drejtorisë së Burgjeve ka miratuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi kundrejt ryshfetit 3.000 euro. Emri i ti tij doli në përgjimet e grupit Avdylaj. Nga hetimet proaktive të kryera me metoda speciale të hetimit, si përgjimet telefonike, ambientale dhe vëzhgime, ka rezultuar se një grup personash, banorë të qyteteve të ndryshme të vendit, vepronin në formën e veçantë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian.

Si rezultat i përdorimit të këtyre metodave të hetimit, nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier.




Skip to toolbar