Pengmarrja në Kamëz, RENEA në Shijak ndalon një të dyshuar

AKTUALITET


Forcat speciale RENEA kanë zbarkuar në Shijak prej mëngjesit të së hënës, me qëllim gjetjen dhe shpëtimin e personit të marrë peng prej 10 ditësh në Kamëz, Jak Prenga, i cili dyshohet se u rrëmbye për shkak të borxheve të vëllait të tij në trafikun e drogës. RENEA rrethoi kompleksin “Golden” gjatë orëve të para të mëngjesit në Shijak, pasi dyshohet se aty mbahej peng 49-vjeçari Jak Prenga që u rrëmbye më 17 janar në Kamëz.

Kompleksi i përket vëllezërve Emiljano dhe Altin Hajri, të cilët janë të arrestuar në Itali për trafik lëndësh narkotike. Burimet policore bëjnë me dije se deri më tani është ndaluar një person pasi në kompleks është kapur arsenal armësh, ndërsa vijojnë kërkimet për personin e rrëmbyer pasi dyshohet se mbahet në zonë. Policia dyshon se pengmarrja e tij ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të drogës, konkretisht për mosdorëzimin e një sasie prej rreth 16 kg kokainë nga vëllai i tij.


Sipas policisë, automjeti tip ‘Range Rover’ i gjetur në Shkallnur të Durrësit, rezultoi të jetë mjeti i përdorur nga pengmarrësit. Po sipas të njëjtave burime mjeti ishte i vjedhur 1 vit më parë në Tiranë. 49-vjeçari Jak Prenga, u mor peng në Kamëz më datë 17 janar, nga 2 persona të pa identifikuar, të cilët lëviznin me një makinë Range Rover të bardhë. Polica nëpërmjet kamerave të sigurisë gjurmoi lëvizjet e tyre deri në hyrje të Fushë-Krujës.




Skip to toolbar