Është arrestuar ditën e sotme Alban Bengasi, i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Golden Bullet”.
Policia bën me dije se avokati Bengasi, u ndalua në hyrje të aeroportit të Rinasit, ndërsa po kthehej nga Dubai.
Kujtojmë se ishin dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili zbuloi se Bengasi e kishte paguar 120 mijë euro për t’i ekzekutuar bashkëshorten.
Operacioni i koduar “Plumbi i Artë”, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”. Dumani i konsideruar një nga personazhet më të kërkuar të botës së krimit, u arrestua në Fier më 29 mars 2022 pas një tentativë të dështuar për të vrarë Talo Çelën.
Bashkë me të, u vu në pranga ushtari i tij, Henrin Hoxhaj që e ndihmoi në arratinë e shkurtër. Dëshmitë e tyre dhe provat e gjetura në telefonin e Dumanit që mbeti i plagosur në përballjen me Talo Çelën, ndihmuan SPAK në zbërthimin e grupeve kriminale dhe vrasjeve të organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin.
Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.
Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.