Palmer: Rusia po bllokon Ballkanin Perëndimor, kërkon ndarje dhe tensione

AKTUALITET


Diplomati amerikan, Matthew Palmer pohon se Rusia është duke bllokuar shumë procese në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Sarajevë ai tha se synimi i Rusisë është të krijojë përçarje dhe tension në Ballkan.

“Themeli i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor është mbështetja e integrimeve euroatlantike. Kjo do të thotë anëtarësim në BE dhe në NATO për të gjitha vendet e Ballkanit, që duan të anëtarësohen. Rusët kanë qëllime të tjera në Ballkan. Ata duan të shohin rajonin e ndarë me një nivel të lartë të tensioneve. Rusët në vitin 2016 kanë sponsorizuar përpjekjet për puç në Mal të Zi. Kanë punuar kundër Marrëveshjes së Prespës dhe kanë bllokuar rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Nuk ka dëshmi për të besuar se Rusia do të donte diçka tjetër në B-H”, tha Palmer, raporton Deutsche Welle.

Një deklaratë e tillë e Palmer vjen në një kohë kur Shqipëria është përfshirë nga një valë protestash të organizuar nga opozita dhe për të cilën kryeministri Rama ka lënë të kuptohet se mund të jenë të shtyra nga Moska.

Ndërsa vetë kreu i PD-së, Basha e ka cilësuar këtë një marrëzi të qeverisë, duke hedhur poshtë çdo aludim të tillë.

Ndërkaq, zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer ka folur edhe për çështjen e Kosovës

Ai tha se përpjekjet për zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk mund të ndërlidhen me Bosnje-Hercegovinën. “Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të përmirësonte gjendjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e kjo do të hapte edhe rrugën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE, që do të ishte shumë mirë edhe për B-H”, tha Palmer.



Skip to toolbar