Pamjet e aksionit, si u arrestua vrasësi i kushëririt, në pranga dhe i ati

AKTUALITET


Policia ka publikuar pamjet e aksionit të RENEA-s për arrestimin e 31-vjeçarit Endrik Lluka, i dënuar me 35 vite burg për vrasjen e kushëririt të tij Dorian Lluka dhe plagosjen e vëllait Birbil Lluka për shkak të një borxhi të papaguar. Në pranga ka rënë edhe babai i tij, 57-vjeçari Behxhet Lluka i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit policor të koduar “Subashi”. Operacioni u ndërmor nga forcat “Renea” dhe Drejtoria e Policisë së  Gjirokastrës, për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit.  


Në kuadër të këtij operacioni në fshatin Shtëpëz të Gjirokastrës, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i personit të shpallur në kërkim për vrasje Endrik Lluka,31 vjeç, banues në fshatin Shtëpëz, Gjirokastër.

Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi gjykata e ka dënuar me 35 vjet burg për veprat “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në datën 22.03.2016, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri shtetasin D. Ll. dhe ka plagosur shtetasin B. Ll.

Gjatë operacionit, forcat “Renea” kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Bexhet Lluka, 57 vjeç ( i ati i Endrikut). Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri snajper, dylbi dhe fishekë luftarakë.

Lluka është autor i një krimi të ndodhur në mars të 2016 në kthesën e fshatit Andon Poçi në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë në afërsi të fshatit Shtëpëz, ku i vrarë mbeti Dorian Lluka, 29-vjeç dhe u plagos Birbil Lluka, 31 vjeç, banues në Gjirokastër. Që të dy personat janë kushërinj të të arrestuarit.

Konflikti ka nisur në lokalin e Dasho Alikos ish kryekomunarit të Lazaratit që ndodhet rrugën Nacionale në Gjirokastër. Dy vëllezërit Dorian dhe Birbil Lluka bashkë me dy persona të tjerë kanë rrahur në ambientet e jashtme të lokalit Enrik Llukën. Pas konfliktit dy vëllezërit janë larguar me makinën e tyre. Më pas Endrik Lluka i ka marrë pistoletën shokut të tij Emiljano Vockës dhe i ka ndjekur nga pas me makinë, kushërinjtë e tij dhe më pas ka qëlluar ndaj tyre duke lënë të vdekur Llukën dhe duke plagosur rëndë vëllain e tij.

Vrasja e Dorian Llukës erdhi pas konfliktit për një borxh prej 500 mijë lekësh që ai ia kishte autorit Enrik Lluka.




Skip to toolbar