Partitë Popullore Europiane dolën me një deklaratë të përbashkët për mediat, ku u bëjnë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të pranojnë hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deklarata, e mbajtur nga Presidenti i PPE-së, Joseph Daul, thekson se “Politika e Zgjerimit e BE-së, ka qenë mjet për ruajtjen e stabilitetit në kontinent”. “Politika e Zgjerimit të BE-së ka qenë një nga mjetet më të suksesshme për të sjellë stabilitetin dhe paqen në kontinentin tonë. Vendimet që do të merren më pas nga vendet anëtare nuk do të ndikojnë vetëm në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, por edhe të kontinentit tonë në tërësi. Është koha për të dërguar një sinjal të fortë dhe për t’i qëndruar besnik angazhimeve tona në rajon”, thuhet në deklaratë.
Më tej, sipas Joseph Daul, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përparim në përputhjen me kërkesat për hapjen e këtij procesi, ndaj hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm. “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë përparim në përputhje me kërkesat për hapjen e këtij procesi. Ndërsa mbetet shumë për të bërë, hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm. Qytetarët, dhe veçanërisht rinia, e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë meritojnë një perspektivë evropiane pasi mbetet një burim motivimi dhe vendosmëri që ato vende dhe rajoni më gjerë të vazhdojnë me reformat e nevojshme për të zbatuar më tej sundimin e ligjit, forcimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe garantimit të pavarësisë së mediave”, shkruan PPE.
Duke e cilësuar vendimin e javës tjetër si historik për të ardhmen e kontinentit, PPE shprehet se vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët më të afërt, historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. “Vendimi i javës tjetër është historik dhe vendimtar për të ardhmen e kontinentit tonë. Rruga për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të jetë e gjatë por është një rrugë që duhet të ndërtojmë së bashku, dhe nuk duhet të humbasim vrullin. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë më të afërt; historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. BE nuk do të jetë e plotë derisa rajoni të jetë pjesë e bashkimit tonë”, shkruan PPE.