Presidenca, sulm medias: Lexojeni “Venecian” si Meta

POLITIKË


Presidenca ka sulmuar median për Komisionin e Venecias, duke e akuzuar se kanë publikuar versionin e mazhorancës për ato që kanë shkruar ekspertët, ndërkohë që ka dhënë versionin e vet mbi këtë draft opinion, i cili pritet të publikohet zyrtarisht të hënën, duke dashur që ky opinion të lexohet sipas versionit të tyre.

Titrat dhe lajmet e gënjeshtërta të shpërndara në panik nga shteti i propagandës, dhe të qarkulluara nga përsheshngrënësit mediatikë të PPP-ve, janë një dëshmi e qartë e dëshpërimit dhe stresit, ku kanë rënë lolot e Rilindjes, me në krye famozin e mashtrimit dhe jo vetëm, Tao Tao, në lidhje me konkluzionet e Opinionit final të Komisionit të Venecias”, deklaroi Presidenca, duke pretenduar se për këtë version të shpërndarë delegacioni shqiptar paska kërkuar falje para Komisionit të Venecias.


Por, nga ana tjetër, vetë Presidenca ka nxjerrë versionin e vet për leximin e deklaratës së Venecias, e cila është publikuar edhe në faqen zyrtare të Këshillit të Europës.

“Sipas deklaratës zyrtare për shtyp të Këshillit të Europës, mbi raportin final të Komisionit të Venecias thuhet si më poshtë: ‘Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacion ad hoc (të posaçëm) për të shtyrë zgjedhjet’. Gjithashtu ky dokument thotë si më poshtë, citoj: Ekspertët theksojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve. Ata theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë të Dekreteve të Presidentit përpara ndonjë gjykate”, tha Presidenca, duke pretenduar se në Raportin Final të Komisionit të Venecias shqiptarët do e lexojë me sytë e tyre se ka zero shkelje të Kushtetutës dhe zero shkelje të kompetencave kushtetuese, madje që Meta i ka bërë mbrojtje të shkëlqyer Konventës Europiane për Drejtat e Njeriut.

Por, duke iu referuar deklaratës së Venecias, që sipas presidencës, ndryshe lexohet nga mazhoranca, vihet re se ndryshe lexohet dhe nga kreu i shtetit. Konkretisht në deklaratë thuhet se “Përkundër sfondit të një procedure për fajësimin e Presidentit Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, ekspertët kushtetues të Këshillit të Evropës të Komisionit të Venecias konkludojnë që, ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar jashtë kompetencave të tij kushtetuese, ka indikacione se aktet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që justifikojnë procedurën për shkarkimin e tij”. Pra, Venecia e thotë qartë se “presidenti mund të ketë vepruar jashtë kompetencave kushtetuese”, por Meta e lexon këtë fjali si “zero shkelje të kompetencave kushtetuese”.

Po ashtu, Venecia deklaron se “edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacionin ad hoc për të shtyrë zgjedhjet”. Pra, askush tjetër nuk e ka këtë të drejtë kushtetuese, veç parlamentit, ashtu siç ka ndodhur në vitin 2007 pas një marrëveshje politike mes PD-PS, ku u miratua një ligj i veçantë për shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa Meta thotë se Venecia ka thënë se ka “zero shkelje të kompetencave kushtetuese” edhe për kate fakt.

Megjithatë, Venecia vë në dukje se “nëse Kuvendi do të vendoste për shkarkimin e Metës, në fund do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht nuk funksionon, të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit janë me shkelje “serioze” që do të justifikonin procesin ndaj tij”,  fakt që dihet se shkarkimi nuk merr formë definitive derisa të miratohet nga Gjykata Kushtetuese.

Madje vihet në dukje se draft-opinioni u zbulua në mediat shqiptare para se të miratohej, por vetëm mendimet e miratuara – tekstet e plota që do të botohen në faqen e internetit të Komisionit të Venecias të hënën javën e ardhshme – pasqyrojnë pozicionin zyrtar të Komisionit të Venecias. /Realstory.al




Skip to toolbar