Pas 6 ditësh grevë, hapet kulla Eifel

BOTA


Kulla Eiffel në Paris, një ndër monumentet më të rëndësishme në kryeqytetin francez u rihap për vizitorët e saj këtë të diel pas një mbyllje 6 ditore, e cila erdhi si pasojë e grevës së stafit të saj.

Punonjësit e kullës Eiffel nisën grevën e tyre nën pretendimin se kulla nuk mirëmbahej sic duhej dhe se nuk kishte menaxhimin e duhur financiar mbi ketë monument historik. Sindikatat që kishin “kritikuar” financimet e këtij monumenti kishin kërkuar që financimi të kryehej bazuar në numrin e vizitorëve që vizitojnë kullën.

Në mesin e këtyre kërkesave ishte edhe ajo për paga më të mira për stafin. Operatorët e kullës Eiffel njoftuan rihapjen e kullës pas arritjes së një marrëveshje me sindikatat këtë të shtunë ku u dakordësua se do të kishte një investim prej 380 milionë eurosh deri në vitin 2031 për mirëmbajtjen dhe rinovimin e kullës. Negociatat për çështjen e pagave pritet të përfundojnë muajin e ardhshëm.

Gjithashtu operatorët e Eiffel njoftuan se do të ketë një rimbursim për të gjithë vizitorët që nuk mundën të përdornin biletat e tyre për të vizituar kullën për shkak të grevës.

Sipas BBC bëhet fjalë për më shumë se 100 mijë bileta. Kulla Eifel, monumenti më i famshëm i Parisit, tërheq gati shtatë milionë vizitorë në vit, rreth tre të katërtat e të cilëve janë turistë të huaj.

Numri i vizitorëve në Paris pritet të rritet këtë verë pasi kryeqyteti francez pret Lojërat Olimpike.



Skip to toolbar