Këshilltari i kryeministrit Rama, drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga ka ironizuar kryetarin e PD-së, Lulzim Basha pas publikimit të artikujve në gazetat prestigjoze ‘Bild’ dhe ‘The Times’ në lidhje me lobimin në SHBA me paratë ruse. Rreth një vit më herët pas publikimit të përgjimeve për shit-blerje votash në zgjedhje ku dilnin dhe emrat e ministrave të Ramës, Basha dogji mandatet e deputetëve dhe organizoi disa protesta me molotovë, madje duke i vënë edhe zjarrin kryeministrisë ndërsa përdorte si alibi artikujt e gazetës gjermane. Së fundi BILD publikoi një artikull sipas të cilit Basha përdori 675 mijë euro për të lobuar kundër integrimit të Shqipërisë në BE.
Këshilltari i Ramës shkruan në twitter se nëse PD-së do t’i jepet mundësia e zgjedhjes, do ta shkarkonte liderin që fle, duke nënkuptuar Bashën.
“Jo për gjë, por siç thotë Lulzim Basha kur e shkruan Bild është e vërtetë dhe tani Bild thotë se Basha përdori 675 mijë euro kundër integrimit të Shqipërisë. Në 2019 Lulzim Basha tentoi të digjte Shqipërinë duke u justifikuar me artikujt e Bild. Por 2020 filloi me faktet e Bild që bien mbi Lulin dhe PD, të cilët paguan mbi gjysmë milionë euro kundër integrimit të Shqipërisë.
Ndryshe nga Lulzim Basha që përdori artikullin e Bild për të tentuar rrëzimin me dhunë të qeverisë legjitime, PD do e rrëzonte me vote liderin që fle, po t’i jepej mundësia e zgjedhjes. Sidomos pas artikujve të Bild e Times që thanë haptas të vërtetën që Luli tenton të fshehë”, shkruan Fuga.
Gazeta më e madhe gjermane “Bild” që i kushtoi një artikull të posaçëm 675 mijë dollarëve të lobingut të PD-së në SHBA dhe origjinës së parave. Gazeta gjermane ka bërë një analizë të gjatë ku thuhet ndër të tjera se “gjithë këto para të paguara nga rusët për Nick Muzin për llogari të PD kanë pasur si qëllim pengimin e Shqipërisë drejt BE-së”.