Rama nis vizitën dy ditore në Ukrainë si kryesues i OSBE. Axhenda e takimeve

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama, në detyrën e Kryesuesit të OSBE nisi mëngjesin e të hënës vizitën në Ukrainë. Rama shoqërohet në vizitën e tij në Ukrainë nga Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj dhe zyrtarë të tjerë të OSBE.

Kievi është zgjuar të hënën nën petkun e dëborës. Ndërsa Rama dhe delegacioni i OSBE-së zgjodhën të ecin disa minuta në këmbë, deri në godinën e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës. Takimin e parë në Kiev, Rama e zhvilloi me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës, ndërsa më pas do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të këtij shteti.


Në cilësinë e Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për vitin 2020, Rama do të zhvillojë bisedime me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, Kryeministrin Oleksiy Honcharuk dhe Kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov. Gjithashtu do të mbahet dhe një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Ukrainës.

Një ditë më parë, OSBE dha detaje nga fokusi i takimeve të Kreut të OSBE Edi Rama me zyrtarët e shtetit të Ukrainës. Sipas njoftimit, mësohet se “bisedimet do të  përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore”.

Të martën, Rama do të vizitojë Ukrainën lindore për të pasur një përvojë të dorës së parë të situatës në zonat e prekura nga konflikti dhe punën e SMM. Kryeministri Edi Rama, njoftoi më herët gjatë marrjes zyrtare të detyrës si kreu i OSBE, se vizitën e parë do ta zhvillonte në Ukrainë. Ai gjithashtu tha se do të ketë edhe një vizitë në Rusi, shtet me të cilin Ukraina është në konflikt prej disa vitesh.




Skip to toolbar