Pas Etna, aktivizohet edhe vullkani Stromboli në Itali

BOTA


Vullkani Stromboli, një nga vullkanet aktive në jug të Italisë, është aktivizuar pas Etnas dhe hiri dhe llava e hedhur nga vullkanet kanë prekur rajonet përreth, transmeton Anadolu.

Raportohet se aktivitetet vullkanike janë shtuar ditët e fundit në ishullin e Sicilisë dhe pas Etnës, ku dje shpërthimet e lavës dhe hirit arritën nivelin më të lartë, shpërthime vullkanike kanë ndodhur edhe në Stromboli, një tjetër vullkan aktiv në jug të vendit.


Vullkani dje ka filluar të nxjerrë intensivisht hi dhe pak lavë e cila bashkë me fragmente shkëmbi ranë në det. Në informacionin e ndarë nga Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), u tha se hiri i emetuar nga vullkani Stromboli arriti një lartësi prej afërsisht 2 kilometra.

Në postimin e Departamentit të Mbrojtjes Civile të Kryeministrisë të Italisë në platformën X, bëhet e ditur se niveli i alarmit është rritur në nivelin më të lartë me “të kuqe” për shkak të aktivitetit intensiv vullkanik në Stromboli.

Njoftohet se Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, Fabrizio Curcio, mblodhi komitetin e operacioneve emergjente për të vlerësuar hapat për të mbrojtur njerëzit që jetojnë në ishull nga efektet e vullkanit dhe për të monitoruar situatën.

Nga ana tjetër, transporti ajror u ndikua edhe nga reja e hirit dhe tymit të dalë nga mali Etna, aktiviteti vullkanik i të cilit arriti nivelin më të lartë gjatë ditës së djeshme dhe arriti një lartësi prej rreth 4.5 kilometrash.

Thuhet se hiri i Etnas arriti në qytetin e Katanias dhe në aeroportin Fontanarossa, kështu që që nga mëngjesi i sotëm fluturimet në aeroport u ndaluan si masë paraprake.

Vullkani Etna në ishullin e Sicilisë ka një lartësi prej 3.300 metra, ndërsa vullkani Stromboli ka një lartësi prej 920 metrash mbi nivelin e detit.

Ekspertët thonë se megjithëse vullkanet Etna dhe Stromboli, të vendosura në gjeografi të ngushtë, kanë disa tipare të përbashkëta, aktivitetet e tyre vullkanike kanë karakteristika thelbësisht të ndryshme dhe nuk janë të lidhura me njëri-tjetrin.




Skip to toolbar