Pas ushtrisë, SHBA, gati për ndihma humanitare në Shqipëri

AKTUALITET


Ambasada e SHBA njofton se do të vazhdojë përpjekjet për të dhënë ndihmë humanitare për Shqipërinë dhe shpreh gatishmërinë për të ndihmuar në çdo hapësirë ku ka nevojë vendi ynë. Ambasada gjithashtu uron Ditën e Pavarësisë dhe shpreh keqardhjen për jetët e humbura si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

“Në këtë përkujtim solemn të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh keqardhjen më të thellë për shkatërrimin dhe jetët e humbura nga tërmeti i 26 nëntorit. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me vendosmëri në krah të vendit tonë mik dhe aleat, Shqipërisë. Ne do të vijojmë të mbështesim përpjekjet e vazhdueshme të ndihmës humanitare dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo hapësirë tjetër në nevojë”, njofton SHBA.

Më herët ambasada Amerikane bëri me dije se Forcat e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga Njësia për Mbështetjen Civile dhe Ushtarake në Kosovë kanë mbërritur dje në Shqipëri, për të mbështetur operacionet pas tërmetit.

“Forcat e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga Njësia për Mbështetjen Civile dhe Ushtarake në Kosovë mbërritën dje në Shqipëri, për të mbështetur operacionet ndihmuese pas tërmetit të 26 nëntorit. Shqipëria është një vend partner, aleat dhe mik dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë punën e përbashkët për të ndihmuar popullin shqiptar në këtë kohë të vështirë për të”, njoftoi ambasada e SHBA.



Skip to toolbar