Gjykatës Kushtetuese, si shpresa për të zgjidhur krizën në vend, apo krijimi i SPAK për të luftuar korrupsionin në nivele të larta, që pritet të marrin jetë këtë vjeshtë duket se nuk e kanë bindur fort kreun e Bindjes Demokratike, Astrit Patozi.
Ai nuk i ka kursyer ironitë as për qeverinë, por as akuzat e forta për opozitën jashtë parlamentit, ku sipas tij, njëra premton se do i jepet zgjidhje sistemit të kalbur të drejtësisë dhe tjetra premton se do të rrëzojë qeverinë e korruptuar duke ndenjur në rrugë.
“Këto janë refrene, që përsëriten çdo vjeshtë dhe nuk mbahen kurrë” thotë Patozi, i cili deklaron se shtatori muaji i “mrekullive” dhe premtimeve të mëdha pas çdo sezoni veror për ndryshime të mëdha politike, në fakt nuk ndodhin asnjëherë.
“Nuk mbahet mend sa vite u bënë që në vjeshtë premtohen të ndodhin zhvillime të papara politike, për të cilat flitet se do t’ia ndryshojnë si me magji faqen Shqipërisë. Ato nuk realizohen kurrë, por kjo nuk i pengon aspak fantazistët për t’ia nisur nga e para, sa herë që mbarojnë ditët e nxehta të verës.
Duke na kujtuar një melodi të vjetër të viteve të fundit të komunizmit me titullin patetik “Mirupafshim në shtator”, ndër të rrallat krijime të huaja, që konsideroheshin muzikë e parrezikshme dhe e lejuar nga regjimi i asaj kohe.”- shkruan Patozi, i cili nuk heziton të akuzojë se këto premtime bëhen nga po të njëjtat persona që në fakt janë edhe shkaktarët e vërtet të krizës, duke shënjestruar drejtpërdrejtë opozitën jo parlamentare.
“E bukura qëndron se këto ngjarje të kaq shumë ëndërruara pritet të vijnë nga të njëjtët personazhe dhe forca politike, që fajësohen dhe mbahen përgjegjëse për gjendjen dëshpëruese të vendit deri më 31 gusht.
A thua se për ta ka qenë problem stina, që na kanë sjellë peshqesh kriza dhe skandale të tilla të rënda, të cilat në çdo vend tjetër do t’i kishin hedhur në plehra disa herë të gjitha qeveritë e korruptuara, bashkë me opozitat e paafta korresponduese.”- shkruan Patozi