Sulmi, irritohet Patozi

AKTUALITET


Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi reagoi në rrjetet sociale, pas sulmit që një i ri (pjesë e FRPD në Shkodër), i bëri deputetes Rudina Hajdari. Patozi reagon ashpër dhe shënjestron drejtuesit e PD, duke u shprehur se opozitën e quajnë “pronë” apo “leje ndërtimi”.

 
“Janë më shumë të marrë, se sa të poshtër, dhe për këtë nuk duhen marrë asnjëherë seriozisht.

Ata mendojnë se opozita është pronë, leje ndërtimi apo tender, që ka nevojë patjetër për firmën e tyre, sepse vetëm kështu e konceptojnë politikën dhe atë që vjen prej saj”, shprehet Patozi.

Patozi e quan skenë të neveritshme atë që ndodhi në Shkodër, ndërsa shprehet se opozitës e vetmja gjë që i ka mbetur është e ulëritura, pas revolucioneve që hëngrën bijtë e vet.

“Ndaj edhe mos u çudisni, kur të shikoni skena të neveritshme si ajo me atë trimin nga Shkodra, që i hakërrehej Rudina Hajdarit se përse ajo nuk e njihte tamam babain e vet, ashtu si ai vetë. Në fakt është e vetmja gjë që u ka ngelur për të bërë, pas një serie të pashembullt revolucionesh të premtuara, të cilat, ose nuk kanë shpërthyer kurrë, ose kanë ngrënë bijtë e vet”, shkruan Patozi.

Në fund, Patozi shprehet se reagimi i të riut demokrat në Shkodër, ishte i ngjashëm me ato të bishave të uritura, që u zvogëlohet territori. “Është një reagim i ngjashëm me ato bishat e uritura, të cilat në ruajtje të territorit, që u zvogëlohet përditë, shenjojnë duke përmjerrur hapësirën e tyre, ku nuk duhet të shkelin të tjerët. Në shqip mund të thuhet edhe “tokë e xanun”, përfundon kreu i BD./Realstory.al/



Skip to toolbar