Patozi: Nuk i meritojmë negociatat

AKTUALITET


Për Astrit Patozin, Shqipëria nuk e meriton hapjen e negociatave pasi është një shtet anormal, që nuk ka as qeveri dhe as opozitë dhe ku presidenti është në fije të perit. Kreu i Bindjes Demokratike, thotë se edhe nëse vendet anëtare të BE-së do të kishin marrë një pozitiv, sërish do të ishte i gabuar sepse vendi është shumë larg standardeve europiane.

“Unë mendoj që edhe në rast se zonja Merkel do ta bindte Macron, për arsyet e brendshme të Brukselit që ta mbyllte një sy dhe të hapeshin negociatat, ne sërish nuk do të ishim të çliruar sepse ne nuk e meritojmë hapjen e negociatave. Mjafton ta shikosh nga Hëna me teleskop dhe të thuash që kurrë nuk mund të jetë anëtare e BE. Ne jemi një vend që nuk bëjmë zgjedhje. Ne jemi sot një gjysmagjel vend. Kemi një qeveri që ushtron një pushtet që nuk e takon. Kemi një opozitë të ikur nga sistemi. Kemi një president në je të perit. Një vend krejtësisht anormal. E them me shumë dhimbje por sot mund ta them me plot gojën që shqiptarët vishen më mirë, hanë më mirë, ndoshta lahen më shpesh por qeverisen më keq se para 10 apo 15 vjetësh. Kjo krizë politike është e pashembullt”, tha ai.


Për sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, Patozi tha se qeveria jonë nuk e njeh përgjegjësinë.

 “Nuk e di duhet ta çonte apo jo. Po të isha vetë që nga Brukseli do thosha që jam gati për zgjedhje të parakohshme. Ne jemi në një truall tjetër. Nuk e njeh këtë përgjegjësi. Minimumi që mund të thoshte meqenëse vendet anëtare kishin problematikat e tyre, ishte ndjesë e fortë për të gjitha arsyet. Ndonjëherë qeveritë japin dorëheqje për aksidente”, u shpreh kreu i Bindjes Demokratike në Abc News.




Skip to toolbar