Denoncimi i bërë nga PD për kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri bashkia më e madhe dhe më e fuqishme në veriun e Shqipërisë ka sjellë reagimin e fortë të Astrit Patozit, i cili ka sulmuar si opozitën, ashtu edhe mazhorancën.
Kreu i Bindjes Demokratike ka ironizuar fillimisht mazhorancën, duke u shprehur se ky rast tregon sesi “Rilindja” humbet edhe kur kandidon e vetme, ndërsa nuk ka lënë pa thumbuar PD-në, pasi sipas tij kjo nuk duhet t’i gëzoja ata që kanë frikë nga zgjedhjet.
“Rasti i Shkodrës na shërben për të kuptuar se qeverisja e ‘Rilindjes’ ka degraduar aq shumë, sa ajo mund të rrëzohet e të humbasë edhe aty ku kandidon e vetme. Por kjo nuk është një arsye që mund t’i gëzojë ata që kanë frikë nga zgjedhjet. Sepse që atyre t’u vijë radha për të fituar, duhet të presin shekuj ose ajo ditë mund të mos vijë kurrë”, shprehet Astrit Patozi në një reagim në rrjetet sociale.
Qëndrimin për Bashën dhe PD e ka shprehur edhe më herët, kur ka ironizuar sesi Basha kërkon llogari për zgjedhjet vendore, kur ai vetë nuk pranon të regjistrohet në asnjë palë zgjedhje. “A mund të na shpjegosh se si i dallon dekretet e Presidentit në janë të mirë apo jo, se mbase na shërben edhe ne të tjerëve? Por mbi të gjitha, na hiq një kuriozitet! Çfarë pune ke ti me zgjedhjet, në të cilat nuk ke ndërmend të marrësh pjesë?”, shprehej para disa ditëve Patozi në adresë të kreut të PD, Lulzim Basha.
Megjithatë, kreu i Bindjes Demokratike shpreh bindjen se nëse akuzat e PD janë të vërteta, ky është një lajm i mirë për të gjithë opozitarët, që besojnë dhe luftojnë për të larguar qeverinë me votë.