“Do goditesh me snajper”, Berisha: Mesazhi që i çova Ramës me zyrtarin e SHBA pas 21 janarit

POLITIKË


Ish-Kryeministri Sali Berisha nuk është penduar asnjë ditë për atë që ka ndodhur më 21 janar 2011, madje në një intervistë të vitit 2018 në Real Story të Sokol Ballës, ai tregon dhe një mesazh të fortë që i kishte çuar Ramës nëpërmjet një diplomati amerikan për protestën homazh të 28 janarit, një javë pasi u vranë nga Garda 4 persona në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në atë intervistë, Berisha deklaronte se i kishte thënë diplomatit amerikan se do të kishte 5 snajperë në kryeministri, një prej të cilëve do e mbante vetë dhe do qëllonte nëse ndokush tentonte të hynte në kryeministri.

“Më 21 janar, i rrethuar nga të katër anët, unë kisha mundësinë të mos isha. Unë qëndrova aty dhe ata që kanë ardhur aty, më kanë gjetur me dosje para, duke vazhduar punën time. Të nesërmen, ose të pasnesërmen, erdhi i deleguari i qeverisë amerikane, një zyrtar më shumë se i mesëm, Tom Contryman, i dërguar nga sekretarja Clinton për të ndihmuar për këtë problem dhe më thotë, meqë Edi Rama do e mbante mitingun dhe unë e spostova, ‘Të lutem a ka mundësi të mos vish nesër në zyrë?’. I them: Absolutisht nuk ka mundësi sepse është ditë pune, por dhe të mos ishte ditë pune, unë do të isha në zyrë. Tha ‘nuk bëhet nami se nuk je’. I thashë tani a ka mundësi të jap një mesazh për Edi Ramën. ‘Çfarë’, tha. I thuaj që po preke gjënë më të vogël, do jenë 5 snajperë, 4 në katër anët dhe unë në dritare dhe në mënyrë absolute do goditet, vetëm po nuk e shpoi plumbi”, ka deklaruar Berisha në intervistën me Sokol Ballën.





Skip to toolbar