Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka bërë një propozim të fortë lidhur me vendimin e PD-së për të djegur mandatet e deputetëve dhe braktisjen e Kuvendit. Në fjalën e mbajtur të enjten në Kuvend Majko tha se duhet ndryshuar Kushtetuta dhe ata që braktisin sistemin, apo kuvendin duhet të paguajnë me ekzistencën elektorale.
“Pjesëmarrja në sistem është e vetmja rrugë për zgjidhje. Ka ardhur koha për të diskutuar ndryshimin e Kushtetutës, ku mes të tjerash të jetë edhe parashikimi se kush braktis sistemin duhet të paguajë edhe me ekzistencën elektorale. Kush mendon se politika është vetëm për të përfituar kufizon veten. PD duhet të rikthehet në Kuvend”, tha Majko.
Ai tha se PD duhet të kthehet në sistem, ndërsa shtoi se reforma zgjedhore është e pashmangshme për t’u realizuar me opoziten parlamentare.
“PD duhet te futet ne sistem, dhe kjo nis me ankimimin në Gjykatën Kushtetuese dhe me respektimin e vendimit përfundimtar të saj. Ndërsa Reforma Zgjedhore është e pashmangshme për t’u bërë me opozitën parlamentare. U detyrohemi këtyre burrave dhe grave që vendosen të mbanin mandatet e deputetëve. Negociatat me ta kanë rëndësi për ndryshime cilësore të sistemit zgjedhore dhe për të mos u kufizuar në detaje teknike. Dhënia e të drejtës së votës së emigrantëve shqiptar nuk është çështje teknike, por domosdoshmëri ”, tha Majko.
Ministri socialist nuk dha detaje teknike se si mund të ndryshojë Kushtetuta dhe si mund të “dënohen” këto parti që dalin jashtë sistemit.
Prej 9 muajsh PD dhe LSI kanë dalë jashtë parlamentit, për shkak të vendimit që morën në muajin shkurt kur dogjën mandatet e deputetëve dhe braktisën kuvendit. Madje PD dhe LSI bojkotuan edhe procesin zgjedhor dhe vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, duke dalë toalisht jashtë pushtetit dhe sistemit./realstory.al