Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndërruar shtëpi, për shkak se është duke e rikonstruktuar apartamentin e tij në katin e 12-të në pallatin që ndodhet pranë stadiumit “Arena Kombëtare” për shkak se pësoi dëmtime gjatë tërmetit të fuqishëm të shtatorit. Lajmi është konfirmuar nga selia blu. Reagimi i zyrës së shtypit të Bashës erdhi pasi media të ndryshme publikuan lajmin se Basha ka ndërruar shtëpi dhe është zhvendosur në kompleksin e vilave “Long Hill”, në periferi të Tiranës.
Duke bërë një kërkim të thjeshtë tek agjencitë imobiliare, mësohet se një shtëpi në këtë zonë kushton mesatarisht 410 mijë euro, e ndërsa për ta marrë me qira kushton rreth 2.4 mijë euro në muaj. Vilat në këto zonë janë kryesisht dy katëshe, me pishinë dhe në këtë zonë jetojnë diplomatë, bankierë dhe personazhe të njohura të biznesit. Madje ky kompleks i përket një biznesmeni i cili është në listën e oligarkëve që sulmohet rregullisht nga PD.
Fill pas këtij lajmi ka ardhur reagimi i selisë blu e cila konfirmon faktin se Basha ka ndërruar shtëpi, por thotë se vila ku ai është zhvendosur nuk ka asnjë pishinë.
“Në disa media është shpërndarë një dezinformim i qëllimshëm lidhur me banesën e kryetarit të PD Lulzim Basha. Pas disa dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, banesa e zotit Basha do të duhet t’i nënshtrohet disa punimeve të domosdoshme. Për këtë arsye zoti Basha dhe familja e tij janë zhvendosur përkohësisht në një banese me qira, që nuk ka asnjë lidhje me fotot e rreme të shpërndara nga disa portale te kontrolluara nga qeveria. Banesa me qira e familjes se zotit Basha jo vetëm nuk ka pishinë, por është më e vogël sesa banesa e tij në rindërtim. Gjithçka tjetër është trillim i sponsorizuar nga qeveria”, njofton PD.