Problemet me pronat, Lame: Në disa zona toka del me 4 pronarë

AKTUALITET


Kreu i Agjencisë Kombëtare të Kadastrës Artan Lame tha se problemet dhe parregullsitë me pronat janë të shumta, disa janë bërë evidente nëpër media dhe disa janë ende në shqyrtim e sipër. Gjatë një bilanci të punës së Kadastrës për 6 muajt e parë, Lame tha se në kohën kur prona pritej t’i kthehej të zotit, në fakt me të u abuzua më shumë se në kohën e diktaturës. Lame tha se problematikat më të mëdha shfaqen në zonat që kanë potencial ekonomik në zhvillim dhe në bregdet, ku në disa raste një pronë del me 4 pronarë. Lame foli se situata të tilla i kemi dëgjuar tashmë në kadastrat e Vlorës dhe Durrësit ku janë bërë disa largime e dhënë dorëheqje si dhe arrestime për abuzim me pronën. Lame tha se këto problematika do të vijnë e të shtohen sidomos për vijën bregdetare, me të cilën është abuzuar shumë.

Në këta 6 muaj operim të Kadastrës së re Shqiptare, janë kryer 30 audite, kontrolle dhe verifikime nëpër të gjitha drejtoritë vendore. Janë marrë 120 masa, përfshirë edhe largimet nga detyra, madje si një risi e jona, të gjitha masat janë shoqëruar edhe me vendosje gjobash ndaj punonjësve. Janë trajtuar në këta muaj rreth 7500 ankesa nga publiku dhe nga institucione të ndryshme, ku pjesa dërmuese ka sfond grabitjen e të drejtës së pronës. Harta e abuzimeve me pronat përfshin të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por është e kuptueshme që këto abuzime dendësohen në zonat me interes ekonomik, pra pikërisht në zonat ku vendi dhe ekonomia duhet të tregohen më të hapura ndaj investimeve, zhvillimeve dhe iniciativës së lirë. Do të përmendja këtu zonat bregdetare përgjatë gjithë Jonit dhe Adriatikut, apo zona të tjera me fluks ekonomik si ato përreth qyteteve të mëdha dhe veçanërisht Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Paralajmërova se problematika si ato të Vlorës do të bëhen publike edhe në zona të tjera. Do të ndeshen në Sarandë, përgjatë Rivierës së Jonit, në të gjithë Gjirin e Durrësit, ku pikërisht këto ditë organet ligjzbatuese kanë ndërmarrë veprimet e para, nisur edhe nga indicie të bëra nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Më tej, do t’i ndeshim këto problematika në Gjirin e Lalzit dhe në bregdetin e Shëngjinit, ku edhe bankina e Portit ka dal me pronar. Do t’i ndeshim këto problematika në Bregdetin e Velipojës, ku si tokë buke janë ndarë dhe pjesë e kënetave që prej mijëra vjetësh janë nën ujë.” tha Lame


Kreu i Kadastrës Artan Lame tha se gjithë këto denoncime të abuzimeve me pronën bëhet që të pakësohen konfliktet sociale si dhe t’u jepet një mesazh i qartë të gjithë punonjësve të këtij sekreti të qëndrojnë larg aferave të tilla.

Nuk përbën asnjë kënaqësi për ne të denoncojmë raste, apo punonjës tanët, të cilët në vite janë përzier në këtë llum. E bëjmë këtë sepse është e vetmja mënyrë që, nga njëra anë të pakësojmë konfliktet sociale dhe të ndikojmë në vendosjen e drejtësisë së pronës; dhe, nga ana tjetër, të japim mesazhin punonjësve të këtij sektori, të mos përzihen në afera të tilla. Më tej, si deri më sot, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjitha organet dhe agjencitë ligjzbatuese, për të bërë të mundur që në fund të këtij procesi të kemi një regjistër prone të saktë dhe një institucion të besueshëm ndaj qytetarëve.” deklaroi në një konferencë për shtyp Lame.




Skip to toolbar