PD: KQZ gënjen për pjesëmarrjen, Rama po braktiset nga qytetarët

Më të fundit


Pak minuta pas raportit nga KQZ në lidhje me pjesëmarrjen e qytetarëve në votime në të gjithë vendin, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike. Përmes sekretarit për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso, PD tha se KQZ gënjeu duke rritur pjesëmarrjen në votime. Në një deklaratë për mediat, KQZ deklaroi se deri në orën 15:00 kanë votuar 15.5 % e qytetarëve. Sipas PD kjo shifër është shumë më e vogël, vetëm 10 % e qytetarëve me të drejtë vote i janë drejtuar qendrave të votimit.

Ivi Kaso tha se KQZ është duke mashtruar shqiptarët dhe partnerët duke rritur numrin e personave në votim.

“Operacioni më i madh që po kryen Edi Rama gjatë gjithë ditës së sotme është falsifikimi i pjesëmarrjes në votimet e tij njëpartiake dhe të paligjshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në krye të këtij operacioni manipulimi, duke mashtruar shqiptarët dhe partnerët për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar. Nga monitorimi i të gjitha qendrave të votimit, ka rezultuar se pjesëmarrja faktike në rang vendi deri në orën 11:00 ka qenë 6 % dhe jo 12 % siç raportuan kamikazët e KQZ. Pjesëmarrja faktike deri në orën 3 pasdite është 10 %.” – thotë Kaso për mediat.

Kaso tha se kryeministri Rama është në panik sepse qytetarët po e braktisin atë në votime. “Megjithëse vetë kandidon, vetë voton, vetë numëron dhe vetë shpall rezultatin, paniku i Edi Ramës duket qartë. Asgjë dhe askush nuk mund ta fshehë braktisjen dhe refuzimin e tij.”- përfundon deklarata e PD.



Skip to toolbar