Pas reagimit të Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, që përgënjeshtroi lajmet për çmimet e kripura të biletave të udhëtimit jashtë vendit dhe hoteleve ku është akomoduar, ka reaguar Partia Demokratike. Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi, ka shkruar në rrjetet sociale, se Gjonaj gënjen. Sipas Vokshit, ministrja ka fjetur vetëm në hotel, që sipas saj vërtetohet nga faturat e publikuara, të cilat “janë në emrin e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj”. Gjithashtu, po sipas Vokshit, ‘dhomat kanë qenë teke, ndërsa është paguar për 1 person, ku normalisht nuk mund të gjente strehë gjithë delegacioni, siç mashtron ministrja e Edi Ramës”, shkruan Vokshi.
Më tej, Albana Vokshi shkruan se askush nuk e ka detyruar “Etildën të zgjedhë hotele me 5 yje”, që sipas ish-deputetes demokrate nuk janë kryer në kohë ‘bumi turistik’, që të mos ketë dhoma. “Edhe kontrollin e brendshëm e ka porositur sa për të larë duart me opinionin publik, që e refuzon luksin e qeverisë së vendit më të varfër në Europe! Askush nuk e ka detyruar Etildën të zgjedhë hotele me 5 yje gjatë vizitave të saj, vizita të cilat nuk rezultojnë në kohë bumi turistik, që Etilda të mos gjejë një dhomë të zakonshme, pa shumë luks dhe komoditete të tjera speciale”.
Në fund, Vokshi ka dhe një tjetër pretendim, duke u shprehur se ministrja Gjonaj ‘gënjen’ për kohën e publikimit të lajmit. “Dhe, së fundi, zonja ministre e një qeverie hajdute gënjen edhe për kohën e publikimit të lajmit, i cili është shpërndarë parmbrëmë, jo para 24 orësh, siç përpiqet të mashtrojë Etilda, në mënyrë që të justifikojë heshtjen e gjatë për shpenzimin e parave publike si t’i kishte fituar në bixhoz”.