Partia Demokratike është e paduruar për hetimin ndaj Agim Kajmakut, kryetar i Bashkisë Vorë, për të cilin denoncoi një javë më parë se ai ka probleme me drejtësinë greke, ndërsa të hënën ka hedhur akuzua se prokuroria po vonon hetimin dhe se këtë e bën nën urdhrat e Edi Ramës.
Partia Demokratike prej më shumë se një javë, me prova të pakundërshtueshme ka denoncuar të inkriminuarin e radhës në pushtetin e Rilindjes, kandidatin e Ramës për bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku apo siç njihet dhe kërkohet nga drejtësia greke me emrin Jorgo Toto.
Duke i cilësuar fakte të pakundërshtueshme provat e siguruara vetë, PD nuk pret që ato të merren në rrugw zyrtare nga prokuroria, por shprehet “Kajmaku i Rilindjes fshihet pas rreshtave të mashtrimit të Edi Ramës, i cili me kodin mafioz të heshtjes, mbron të inkriminuarin me të cilin është ulur në sofrën e pushtetit”.
Akuzat janë bërë nga Ervin Salianji, i cili nga foltorja blu ka akuzuar edhe prokurorinë. “Kajmaku duhet të ishte i pandehur bashke me Valdrin Pjetrin, por prokuroria e kapur për fyti nga Edi Rama nuk zbaton ligjin. Prokuroria hesht dhe në vend të fletës së arrestit për Kajmakun, nis letra për Partinë Demokratike duke i kërkuar provat që i ka në sistemin TIMS. Prokuroria nuk zbaton Kodin Penal dhe ligjin e dekriminalizimit për të vënë para drejtësisë të kërkuarin në Greqi, i cili ka trafikuar para të falsifikuara dhe mashtruar në formularin e dekriminalizimit”, deklaroi Salianji.