Pëllumb Kulla: Mezi pres teatrin e ri, dhe një pavion kushtuar artistëve

AKTUALITET



Kryeministri Edi Rama ka publikuar pasditen e të mërkurës një opinion të regjisorit dhe aktorit Pëllumb Kulla, i cili shprehet se “Shqipëria nuk ka pasur një ndërtesë të përshtatshme për teatrin qendror”.  “Për më shumë se 70 vjet ne nuk kemi patur një ndërtesë të përshtatshme për teatrin qendror. Mjafton të them se ajo ishte shumë larg me shoqet e saj të Europës, po se po, por ajo ishte edhe më e papërshtatshme edhe se disa teatro të vendit”, shkruan ndër të tjera Pëllumb Kulla, në opinionin e publikuar nga Kryeministri në faqen e tij zyrtare në Facebook.  Më tej, në mesazhin e regjisorit të njohur, jepet dhe një propozim për mënyrën se si duhet të ndërtohet teatri i ri. Pëllumb Kulla shprehet se brenda godinës së re, duhet të ndërtohet një pavion ku të ekspozohet një maket i teatrit të vjetër, pjesë nga rekuizita artistike ndërvite dhe një muze kushtuar aktorëve, regjisorëve dhe skenaristëve të Teatrit Kombëtar.

“Në atë kompleks të ngritur nga italianët, u bë jetëgjatë një dramaturgji, pjesa më e madhe e të cilës meriton të mos kujtohet më. Mendoj dhe shpresoj se edhe kjo, në korpusin e ri do të realizohet nëpërmjet veçimit të një pavijoni memorialistik, ku mund të ruhej edhe një maket i madh i godinës së teatrit të deritanishëm, ku mund të ekspozoheshin kostumet e paharruara, që nga ai i Hamletit të Shekspirit, Ezopit dhe Kleas të Figuereidos dhe deri tek ato të Halilit dhe Hajries të Kol Jakovës. Në atë ambient muzeal mund të gjenden shfaqje të filmuara apo radiofonike, këndi i dramaturgëve, ai i regjisorëve dhe i skenografëve, makete dekoresh të qëlluara dhe plot elementë që do të plotësonin nevojat shpirtërore të atyre artistëve, që me ashk kërkuan muaj me radhë restaurimin e plotë të ndërtesës”, thuhet në opinionin e Pëllumb Kullës për Teatrin e ri Kombëtar.

Në fund të mesazhit të tij, ai shprehet se uron që të “nisin sa më shpejt” punimet për ndërtimin e godinës së re të teatrit, ndërsa thekson se problemet e teatrit duhet të fokusohen jo te ndërtimi i godinës, por ato të dramaturgjisë kombëtare. “Përshëndes atmosferën optimiste që po krijohet dhe mezi pres ditën kur problemet e teatrit do të fokusohen, jo më tek ndërtimi historik i korpusit teatror, që ndodh njëherë në mijëra vjet, por tek problemet e vërteta dhe të përditshme të teatrit kombëtar, të dramaturgjisë kombëtare. Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve dhe qoftë e afërt dita kur të sakrifikohen ngrehinat e dy teatrove “ndërkombëtarë”, që t’i bëjnë vend ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë”, përfundon opinioni i Pëllumb Kullës.



Skip to toolbar