Pendarovski takon Macron: Rregullat e reja të zgjerimit, në mars të 2020

BOTA


“Metodologjia e re e zgjerimit të BE do të jetë gati deri në mars të 2020.” Kjo ishte deklarata për mediat e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas takimit që zhvilloi me presidentin francez Macron. Pendarovski tha se Macron shpreson që reformimi i metodologjisë të bëhet deri në mars 2020, në mënyrë që në Samitin e Zagrebit, më 6 maj 2020, të mund të merret një vendim lidhur me negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Franca tashmë ka paraqitur një propozim joformal për vendet anëtare të BE-së që parasheh reformimin e metodologjisë së negociatave të pranimit, një reformë që Macron po kërkon të miratohet përpara se të japë dritën e gjelbër për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në parim, ai mendon se metodologjia duhet të miratohet më së voni deri në muajin mars. Ai më ka thënë saktësisht se kurrë nuk ka qenë qëllimi i tij që të na rekomandojë ndonjë alternativë tjetër, në vend të anëtarësimit në BE. Ai thjesht dëshiron të përmirësojë procesin, që mos të prodhojë suksese burokratike dhe dështime thelbësore”, tha Pendarovski, pas takimit me presidentin Macronin në Samitin e Paqes në Paris.

Macron prej kohësh kërkon një reformim të vetë BE-së dhe rregullave se si ajo do të zgjerohet më të ardhmen. Franca ishte një ndër vendet që më 18 tetor bllokoi procesin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me arsyetimin se fillimisht Unioni duhet të vetëreformohet dhe të mos shkaktojë më dështime si BREX-it apo probleme të tjera të brendshme.



Skip to toolbar