Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka deklaruar se ekipi kishte shfaqur vështirësi të mëdha në ndeshjen e sotme për shkak të ndryshimeve të shumta që ishin bërë në rreshtimin e kuqezinjve.
“Kjo është një skuadër e vështirë, ata janë guximtarë që japin gjithçka në fushë. Nuk është e thjeshtë, në dy ndeshjet e fundit të Ishujve Faroe në transfertë, ndeshjet janë zgjidhur me vështirësi.
Problemi është gjithmonë ai që kemi pak kohë për të punuar, e nis një ndeshje me një koncept ndryshe, pastaj lëvizjet ndryshojnë, krahët lëvizin, mesfusha nuk ishte me tre por me dy. Të gjitha në një ndeshje, është e vështirë.
Në fund mund të hidhnim dy sulmues, menduam diçka ndryshe. Por këta kundërshtarë janë kështu. Aq sa Republika Çeke që është shumë e fortë, e zgjidhi me vështirësi në fund”, tha Silvinjo pas sfidës.