Dibër, helmohen me sprajt 9 maturantë

AKTUALITET


Disa maturantë të shkollës e mesme “Rifat Manjani” janë helmuar në Shupenzë të Bulqizës. Ministria e Shëndetësisë njofton se janë helmuar 9 nxënës, një prej të cilëve është sjellë me helikopter drejt Tiranës, ndërsa 8 të tjerë po marrin trajtim mjekësor në Spitalet e Dibrës dhe Bulqizës.

Në një informacion paraprak për ngjarjen, policia e Bulqizës tha se ka marrë informacion rreth orës 13:10 se tek një klasë mësimi në shkollën e mesme në Shupenzë, një nxënës ka hedhur një sprajt me aromë, ku disa prej nxënësve kanë shfaqur probleme shëndetësore.


Fëmijët e prekur kanë pasur vështirësi në frymëmarrje, të vjella dhe marrje mendsh, ndërsa është mbyllur klasa deri në matjen e lëndës kimike në ambientet e saj.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka reaguar lidhur me helmimin e fëmijëve të ndodhur në Bulqizë, pasi kanë hedhur sprajt në klasë. ISHSH njofton se janë nisur në terren inspektorët për të mësuar shkaqet e plotë të komplikacioneve të nxënësve.

Tetë prej tyre  kanë marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Dibrës dhe Bulqizës, ndërsa është mbyllur klasa deri në matjen e lëndës kimike në ambientet e saj.

“Inspektorët kryen kontrollet përkatëse nga ku rezulton se disa nxënës kanë hedhur një lëndë të gaztë me qëllim pamundësimin e zhvillimit të mësimit duke sjellë dhe vështirësi në frymëmarrje tek nxënësit, të vjella dhe marrje mendsh. Në shkollë shkuan mjekë dhe infermierë të qendrës shëndetësore Shupenzë, për të mbajtur nën vëzhgim nxënësit e tjerë në rast të komplikacioneve të mundshme. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka marrë vendim të ndërmjetëm për mbyllje të klasës deri në matjen e lëndës kimike në ambientet e klasës nga ana e Institutit të Shëndetit Publik”, deklaroi ISHSH.




Skip to toolbar