PS pranon propozimet e PD, Hajdari vë kushte

AKTUALITET


Kryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri është shprehur në përfundim të mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura se do të mirëpresë të gjitha propozimet e PD-së dhe të opozitës jashtëparlamentare për Reformën Zgjedhore, duke nisur nga fakti se ata po hartojnë një draft paralel për këtë reformë. Nga ana tjetër, bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari ka vënë si kusht për miratimin e reformës ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ajo  ka thënë në mbledhje se nuk do të diskutojë asnjë pikë tjetër nëse nuk pranohet ndryshimi i sistemit zgjedhor. Gjiknuri tha për mediat se i ka lënë kohë opozitës parlamentare që të paraqesë propozimet për sistemin zgjedhor. Ai tha se bisedimet janë të vështira por po punohet për arritjen e një konsensusi.

“Opozita parlamentare insiston të mos miratohet reforma pa sistemin. Ne kemi rënë dakord të vijnë me një propozim dhe të diskutohet. Procesi është i vështirë, por politikanët për këtë janë të gjejnë edhe kompromise. Ne synojmë që të gjitha paketat t’i kalojmë në dhjetor me konsensusin e aktorëve të tjerë në komision. Nëse do të kemi konsensus për rishikimin e sistemit, përfshirë edhe opozitën jashtë, do të bëjmë çmos. Paketa e administrimit zgjedhor do të jetë brenda nëntorit gati. Do të kemi të gjithë kuadrin ligjor sipas kërkesës së OSBE-së. Presim propozimin e opozitës parlamentare për sistemin zgjedhor që të hapim një debat”, tha Gjiknuri.


I pyetur për tryezën që zhvilloi të enjten PD dhe partitë jashtë parlamentare, deputeti socialist tha se mirëpret faktin që PD po e merr seriozisht punën për reformën zgjedhore.

“Unë jam i gëzuar që PD-ja po e merr seriozisht çështjen e reformës zgjedhore. Pavarësisht se nuk e njohin komision, ne nuk na pengon të krijojmë çdo lloj mënyre komunikimi për propozimet që kanë të përfshihen si punë e komisionit të reformës zgjedhore. Edhe pa qenë direkt në komunikim por ne do të bëjmë çmos që çdo propozim i tyre, sipas rekomandimeve të OSBE-së ne do i marrim parasysh dhe mbase do të jetë një rast i rrallë për dakordësinë”, tha Gjiknuri.

Ai tha se projekti i diskutuar në mbledhjen e së enjtes në parlament ka propozime radikale të tilla që e kthejnë qeverinë në një qeveri teknike 6 muaj para çdo procesi zgjedhor.

“Projekti i parë ka vendime radikale, që i vendos detyrim qeverisë që të raportojë për çdo aktivitet, më pas vendos KQZ nëse do të konsiderohet aktivitet politik, duke e kthyer qeverinë në teknike 6 muaj para zgjedhjeve, para fushatës. Diskutimet ishin konstruktive, por do të vijojnë”, është shprehur Gjiknuri.

Kryetarja e grupit Demokrat Rudina Hajdari u shpreh pas përfundimit të mbledhjes së komisionit të reformës zgjedhore se anëtarët e opozitës së re kanë vendosur kusht që të mos pranojnë të miratojnë asnjë draft për asnjë çështje, as në parim nëse procesi nuk ecën paralel me propozimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Sot diskutuam dy gjëra, konstituuam grupet e punës. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe ekspertët. Dua të theksoj se ky draft është paraprak dhe ishte për të na prezantuar ne, cfarë rekomandojnë ekspertët për rekomandimet e OSBE-së, ishin të pjesshme, do të kemi edhe një draft tjetër që do të merret me pjesën tjetër, që është më shqetësues, depolitizimi i administratës zgjedhore. Gjithsesi të mbetemi tek ky draft.

Ky draft prek disa gjëra sipërfaqësore, nxit barazinë gjinore, merret me financimin e fushatave, fondet e buxhetit për partitë dhe vakancat në listat zgjedhore. Këtu nuk prekin cështjen parimore të opozitës, që është adresimi apo marrëveshja e 2008. Ne synojmë të dobësojmë rolin e kryetarëve të partive, ne jemi për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, por presim edhe sugjerime. Ne jemi pro një reformimi zgjedhor”, tha ajo.

Paralelisht me Kuvendin edhe PD dhe partitë e opozitës jashtë parlamentit zhvilluan një mbledhje ku diskutuan për reformën zgjedhore. Në përfundim Gazment Bardhi tha se për 30 ditë PD do të dalë me një draft të cilin do t’ia paraqesë OSBE –së dhe kjo e fundit do të bëjë ndërmjetësimin me PS-në në mënyrë që të përfshihen edhe propozimet e PD-së në versionin final të reformës zgjedhore që do të miratohet në Kuvend.




Skip to toolbar