Përgjaket Gushti me 5 të vrarë, Lleshaj bën për “ujë të ftohtë” drejtorët e policisë

AKTUALITET


Muaji gusht, përveç shtimit të fluksit të pushuesve ka rritur ndjeshëm ngjarjet kriminale me pasoja të rënda për jetën. Në 12 ditët e para të këtij muaji janë shënuar disa ngjarje kriminale me pasoja tragjike, ku janë shënuar 5 persona të vrarë dhe 5 të plagosur dhe kjo situatë ka alarmuar ministrin e Brendshëm, i cili ka organizuar një mbledhje urgjente me drejtorët e policisë, duke u kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e krimeve të rënda.

Duke kritikuar disa drejtues vendorë për ngjarje kriminale të ndodhura gjatë muajit gusht, Lleshaj përcaktoi detyra të qarta që duhet të ndiqen në periudhën në vijim. “Presingu” i mirëfilltë ndaj personave me profil kriminal, përfshirë edhe ata që kthehen në vend gjatë pushimeve, mbikëqyrja parandaluese ndaj tyre, kontrollet e mjediseve të frekuentuara prej tyre, e automjeteve dhe e veprimeve u përcaktuan si detyrë e dorës së parë. Po ashtu, u kërkua shtimi i kontrolleve për armëmbajtjen pa leje në mjedise publike si në qarkullimin rrugor, bare e diskoteka. Ministri Lleshaj kërkoi me forcë rritjen e përpjekjeve parandaluese kundër personave me rekorde kriminale dhe rrezikshmëri të lartë, të cilët përpiqen të shfrytëzojnë këtë periudhë për qëllime kriminale. Ministri kërkoi angazhim të fortë për menaxhimin efektiv të qarkullimit rrugor, në kushtet e rëndimit të tij për shkak të flukseve të mëdha, aksidenteve të rënda me pasoja në njerëz dhe të sjelljes së papërshtatshme të disa qytetarëve.


Krimet e rënda që tronditën gushtin, kanë pasur një shpërndarje gjeografike në të gjithë vendin, si në Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan dhe së fundmi në Mirditë. Seria e vrasjeve do të fillonte në datën 1 gusht, ku në derën e banesës u ekzekutua me breshëri Feriz Bardhi. Një ditë më pas, krismat e armëve do të tronditnin Elbasanin, ku në qendër të qytetit ndodhi një plagosje e trefishtë me armë, por fatmirësisht pa viktima. Në datën 6 gusht, në orët e pasdites do të ekzekutohej në lokalin e tij pranë plazhit, Arben Beqiraj. Në të njëjtën ngjarje mbetën të plagosur djali dhe një i afërm i viktimës. Dy dite me vone krimi do të godiste jo shumë larg Vlorës. Mbrëmjen e 8 gushtit, në Selenicë u ekzekutua në rrugë Dilaver Tozaj, i njohur edhe me emrin Nikolla Ikonomi.

Seria e vrasjeve do të vazhdonte me mëngjesin e 12 gushtit, ku në afërsi të Fierit u gjet i vrarë me thikë në fyt dhe i hedhur në kanal 23-vjeçari Florian Selimi. Po në të njëjtën ditë, në qendër të Rrëshenit do të ekzekutohej me armë Armando Gjini, i njohur edhe me ermin Tonin Gjini.




Skip to toolbar