Kamioni bie në kanal, shoferi i plagosur fsheh ngjarjen: Rashë nga muri

AKTUALITET


Një kamion, që transportonte pllaka guri nga Mali i Tomorrit u përmbys në kanal, ndërsa është plagosur rëndë drejtuesi i tij. Aksidenti u fsheh nga vetë shoferi që mbeti i plagosur por dhe firma private që nxirrte gurrat dekorativ nga Mali i Tomorrit, pasi e bënin këtë proces në ilegalitet. Prej disa muajsh këto firma private janë ndaluar nga policia për të kryer gërmime të gurëve dekorativ në Malin e Tomorrit, pas betejës së banorëve dhe Ministrisë së Mjedisit për ta shpallur atë Park kombëtar.

Kamioni që transportonte pllaka guri është përmbysur dhe ka përfunduar në një kanal në fshatin Bogovë në orët e para të mëngjesit.  Për shkak të rrugës së shkatërruar, kamioni ka rrëshqitur nga një lartësi rreth 5 metër dhe ka përfunduar në kanalin në anë të rrugës. Nga aksidenti mbeti i plagosur 35-vjeçari Fatjon Rama, i cili për shkak të plagëve të shumta në trup është dërguar në spitalin e traumës në Tiranë.

Aksidenti është mbajtur i fshehtë nga shoferi por dhe vetë pronarët e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ, të cilët kanë lëvizur kamionin duke prishur dhe vendin e aksidentit. Ndërsa 35-vjeçari i plagosur tha se u rrëzua nga muri i shtëpisë.

Bllokimi prej muajsh i Malit të Tomorrit nga forca të shumta policie nuk lejojnë vijimin e punës së firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ edhe pse këta të fundit kanë fituar të drejtën për fillimin e punës me vendim të Gjykatës Administrative të Apelit. Në këto kushte firmat punojnë natën me ngarkimin e kamionëve me pllaka guri.



Skip to toolbar