Zvarritet ngritja e SPAK

#NËRADAR


Këshilli i Lartë i Prokurorisë publikoi pjesën e debatit mes Gent Ibrahimit dhe anëtarit të KLP Besnik Cani, në mbledhjen e zhvilluar të hënën, ku do të diskutohej nëse mund të ngrihej Prokuroria Speciale me 8 prokurorët që e kanë kaluar Vettingun. Pas largimit të mediave nga salla e mbledhjes, anëtari Besnik Cani mori fjalën duke u ankuar se emaili me materialet e rendit të ditës i kishte shkuar jashtë orarit zyrtar të punës. Ai pretendon se emaili i kishte mbërritur në orën 16:47 minuta të datës 18 tetor, ndërsa dita pasardhës ishte fundjavë. Për këto arsye, Besnik Cani shprehet se nuk kishte kohë të njihej me materialet e mbledhjes.

“Lidhur me thirrjen e mbledhjes së sotme z.Kryetar, dua t`ju bëj me dije se unë si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk kam jam njoftuar në orarin zyrtar të punës. E-maili zyrtar i punës, që kemi ne, ka mbërritur tek mua dhe tek anëtarët e Këshillit në orën 16:47 të datës 18. E shtunë e diel pushim, dhe vetëm sot kam pasur mundësinë ta shoh këtë rend dite këtu, të shoh vetëm disa prej akteve jo të gjitha aktet”, u shpreh Cani.

Kështu, ai kërkoi që mbledhja të shtyhet duke adresuar kritika ndaj administratës së KLP-së, që sipas tij duhet të lexojë procedurën dhe ligjin për organizimin e mbledhjeve. “Unë çmoj kryetar që mbledhja të shtyhet dhe të merret afati që na përcakton ligji, me 7 ditë. E kam debatuar njëherë në këtë sallë dhe do vazhdoj të debatoj se nuk mund të vazhdojmë më me këtë histori. sot për sot e sot për nesër. Komisioni le t`i shoh procedurat dhe të përgatisi mbledhjet ashtu siç e thotë ligji. Në këto rrethana unë nuk kam pasur mundësi të njihem me këto akte që kërkojnë të miratohen, ndaj kërkoj shtyrjen e seancës”, shprehet Besnik Cani.

Pas tij reagoi kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi, i cili shpreh se të gjithë anëtarët e Këshillit ishin njoftuar gjatë një takimi të zhvilluar në Vlorë. Por, në atë takim, Besnik Cani kishte munguar me vullnetin e tij, duke u bërë i vetmi anëtar që nuk ishte njoftuar për rendin e ditës.

“Ndoshta keni të drejtë për këtë çështje. Anëtarët e Këshillit janë informuar në mënyrë të drejtpërdrejt për këtë mbledhje gjatë takimit tonë në Vlorë, ku ju munguat. Në këtë kuptim i dhamë vetes lirinë që e-mailin ta çonim pak më vonë, pasi të gjithë ishim aty dhe të gjithë e morën vesh që do mblidheshim sot dhe çfarë do diskutonim, ndërsa ju zgjodhët të mos ishit. Megjithatë, mbledhjen e deklaroj të mbyllur pas kërkesës suaj”, tha Gent Ibrahimi.

Në mbledhjen e ditës së hënë të KLP-së, u miratua caktimi i përkohshëm i disa prokurorëve në prokuroritë e rretheve, ndërsa në pikën e shtatë të rendit të ditës do të diskutohej për SPAK. Për diskutimin e kësaj pike, Gent Ibrahimi kërkoi që të mos ishin të pranishëm mediat. Pas largimit të kamerave nga salla reagoi dhe Besnik Cani, duke kritikuar administratën e KLP-së për vonesën e dërgimit të materialeve.

Megjithatë, në mbledhjen e datës së 21 tetor, pika e diskutimit ishte e një rëndësie të veçantë, pasi do të diskutohej nëse do të bëhej e mundur ngritja e SPAK me 8 prokurorë, apo do të pritet ende për kalimin e Vettingut dhe të dy prokurorëve. Kjo pikë nuk u diskutua dot të hënën, çka do të thotë shtyrje dhe paafat për ngritjen e SPAK, një nga strukturat më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë. /Realstory.al/

AUDIO E MBLEDHJES SE KLP


Skip to toolbar