Kryeministri Rama deklaroi në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave se do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për Tiranën dhe Durrësin, ku sipas tij, kjo gjendje do të jetë për 30 ditë. Por, ajo që ende nuk është sqaruar është fakti nëse do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, apo gjendja e fatkeqësisë natyrore, për faktin se këto janë dy terma të ndryshëm me ndryshimet që janë bërë në Kushtetutë.
Në nenin 173 të Kushtetutës, gjendja e jashtëzakonshme vendoset nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave në rastet kur cenohet rendi kushtetues dhe siguria publike, ndërsa Neni 174 i Kushtetutës thotë se “për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit”. Megjithatë, ato nuk ndryshojnë shumë nga njëra tjetra veç argumentimit se për çfarë është shpallur gjendja që kërkon masa të jashtëzakonshme, siç është përcaktuar në nenin 170 të Kushtetutës.
Megjithatë, Shqipëria është përballë një fatkeqësie natyrore dhe ligji i miratuar më 17 korrik 2019 parashikon se qeveria mund të vendosë për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit. Rama deklaroi se ka shpallur këtë gjendje në Tiranë dhe Durrës. Por, sipas ligjit për mbrojtjen civile, zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore përtej afatit 30-ditor mund të bëhet vetëm me miratimin e Kuvendit.
Masat që ndërmerren
Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore vendosen dhe të zbatohen disa masa të jashtëzakonshme për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë, duke filluar që nga ndarja e detyrave si për institucionet publike, ashtu edhe subjektet private. Ndër masat që parashikohen janë detyrimi për përdorimin e burimeve financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe rivlerësimin e buxhetit vjetor për përballimin e fatkeqësisë, detyrimi për vënien në dispozicion të burimeve njerëzore dhe logjistike si dhe caktimi i objekteve shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar. Ndërkaq, strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civil duhet të bëjnë evakuimin e detyruar për popullsinë e rrezikuar si dhe detyrimin për organizimin e kontrollit të njëanshëm ose në bashkëpunim me komunitetin të banesave dhe objekteve private për gjetjen e të mbijetuarve dhe të viktimave të fatkeqësisë, si dhe procedurat e detyruara për kryerjen e shërbimeve funerale.
Sipas ligjit të miratuar në 17 korrik 2019, parashikohet që shteti shqiptar të përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie (neni 41 pika 1). Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. Ligji parashikon edhe bashkëpunimin ndërkombëtar e marrjen e asistencës ndërkombëtare nga shtetet e tjera (neni 53,54) dhe donatorët e huaj japin për parandalimin dhe përballimin e situatës së krijuar nga fatkeqësitë. Autoriteti përgjegjës për koordinimin e mbështetjes së vendit pritës, në rastet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, është Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, ndërsa në rastet e tjera është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Neni 42, pika 2 paragrafi b) parashikon aktivizimin dhe organizimin e procedurës së evakuimit të detyruar për popullsinë e rrezikuar. Për këtë foli edhe kryeministri Rama i cili tha se “nuk do të toleroj asnjë banor që të qëndrojë në banesën e dëmtuar. Teoria që unë nuk lë shtëpinë nuk do të funksionojë.
Ligji ka renditur edhe atë që quhet infrastrukturë kritike, që duhet mbajtur në parametra pune e kontrolli, si furnizimi me energji elektrike, menaxhimi i gazit, naftës e nënprodukteve të saj, rrjeti i telekomunikacionit, furnizimi me ujë, me ushqime, gatishmëria e spitaleve, qendrave shëndetësore e ambulancave, sistemet e transportit të brendshëm, rrjeti hekurudhor, aeroportet dhe portet.
Në nenin 57 thuhet se përveç të drejtës për informacion në mënyrë të përhershme e të përditësuar në situatat e fatkeqësive natyrore, kanë edhe të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e jetës së tyre dhe të pronës nga strukturat e mbrojtjes civile, sigurimin e kushteve për jetesë kur janë prekur nga fatkeqësia, deri në momentin e rikthimit në gjendje normale.
Kufizimet
Por, kjo gjendje sjell edhe disa kufizime politike. Kushtetuta parashikon në nenin 170, pika 5, që “Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme”. Po ashtu në pikën 6 parashikohet që “Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendume, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Kjo do të thotë se deri më 27 Dhjetor të gjitha nismat ligjore të ndërmarra do të ndërpriten dhe këtu vlen të përmendet Reforma Zgjedhore, por ndoshta edhe nisma e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit Meta, duke qenë se në ligj është përcaktuar se nuk mund të zgjidhet presidenti i ri. Një tjetër aksion që vihet në dyshim është edhe fushata e iniciuar nga kreu i shtetit për referendum. Por, sipas ligjit nuk lejohen referendumet gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Pyetja mbetet, po Meta do e ndërpresë tubimin e thirrur për fushatën e ndërmarrë për referendum?