Pjetri, Voltanës: S’ke nevojë për ndërkombëtarët, kemi gjykatë e përmbarim

Më të fundit


Kryebashkiaku i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Valdrin Pjetri, i është përgjigjur kryebashkiakes aktuale të Shkodrës, Voltana Ademi, e cila një ditë më parë iu drejtoi një letër ambasadorëve të huaj në Shqipëri, duke iu kërkuar të ngrinin një komision ndërkombëtar, në mënyrë që të dorëzonte detyrën te pasardhësi i saj, duke i thënë se këtë punë e bën gjykata dhe përmbarimi, por pret prej saj një shtrëngim duarsh.

Valdrin Pjetri deklaron se ajo duhet ta lirojë zyrën dhe pret një shtrëngim duarsh me Voltana Ademin, të zgjedhurën e PD-së në 2015-ën që tashmë do t’i dorëzojë detyrën kryebashkiakut të ri të Shkodrës, më 13 gusht. Por edhe nëse ky gjest nuk ndodh, duke marrë parasysh kundërshtimin që i ka bërë Ademi procesit zgjedhor të 30 qershorit, kjo nuk do ta pengojë Pjetrin të nisë detyrën e tij.

“Unë pres nga ana qytetare një shtrëngim dore nga zonja Ademi, gjithsesi kjo nuk na pengon të ecim para dhe të marrim bashkinë e Shkodrës”, u shpreh Valdrin Pjetri në një konferencë me gazetarët në Shkodër.

Nëse në Gjykatën Kushtetuese shkon ankimim dhe në momentin që ajo do të ngrihet nuk do t’i njohë zgjedhjet, Valdrin Pjetri thotë se është i gatshëm t’i nënshtrohet çdo vendimi, por deri atëherë ai premton se do të punojë për të ndryshuar Shkodrën. “Mbi këtë projeksion do të organizoj edhe punën, nëse në tetor nëntor do të kemi ndrysim edhe bashkia e Shkodrës do t’i nënshtrohet ndryshimeve dhe fakteve të reja që do të kemi”, shton ai.

I pyetur nga gazetarët nëse do të përdorë policinë nëse kryebashkiakja në ikje Ademi nuk liron zyrën, duke qenë se ajo ka kërkuar edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarë me një kërkesë të paprecedentë, Pjetri është shprehur se nuk ka përse kërkon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve sepse pas vendimit te gjykatës do të duhet ta liroje zyrën.

 “Nga ndërkombëtarët Ademi s’ka pse kërkon ndërhyrje. Ademi pas vendimit të gjykatës do të duhet ta lirojë zyrën. Asgjë nuk na pengon për të marrë zyrën e Bashkisë. Voltana Ademi duhet të lirojë zyrën e Bashkisë”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se nuk ka nevojë polici e bashkiakë, pasi këtë e bëjnë përmbaruesit.

Pjetri risolli në vëmendje një shprehje të kryeministrit Edi Rama gjatë periudhës së fushatës elektorale, për të treguar se si Shkodra me mbështetjen e duhur financiare do të pësojë transformim.

“Kryeministri Rama e ka thënë në mes të Shkodrës e ka thënë në mes të Vlorës, Shkodra do të jetë sfida ime personale në 4 vitet e ardhshme, kur më është propozuar kandidatura, i kam thënë Shkodra do mbështetje financiare: Po Valdrin do ta ketë mbështetjen financiare”, tha Pjetri.



Skip to toolbar