Plani i Bashës (kur të jetë kryeministër), një strukturë që dublon SPAK?!

Më të fundit


Kreu i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar se Partia Demokratike ka një plan konkret, të cilin e ka quajtur “Ndiq Paranë” (Follow the Money) dhe që do e ndjekë kur Basha të bëhet kryeministër, i cili që në konceptim vërehet që është një dublim i strukturës prokurorisë së posaçme SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, struktura të krijuara me mbështetjen e ndërkombëtarëve në kuadër të reformës në drejtësi.

Planin konkret, kreu i demokratëve e ka shpërndarë nëpërmjet një videomesazhi, ku shprehet se nëpërmjet tij  do bëjë zbulimin e parave të korrupsionit dhe do iu kthejë shqiptarëve paratë dhe pasuritë e vjedhura përmes kontratave publike.

Sipas planit të PD, kjo do të mundësohet nëpërmjet katër hapave, ku fillimisht do të bëhet miratimi i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, ku prioritet i qeverisë së PD do të jetë hetimi i korrupsionit të niveleve të larta. Më pas, sipas Bashës do të bëhet hetimi dhe ndëshkimi i veprimtarisë kriminale të qeverisë për prokurimet dhe licencimet publike; rikuperimi i pasurive të vjedhura përmes kontratave dhe koncesioneve publike dhe hartimi i ligjeve për luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave, ku PD thotë se do të bashkëpunojë me ekspertë te huaj dhe me agjencitë kryesore në botë për luftën kundër krimit ndërkombëtar, EUOPOL, agjencitë britanike, holandeze, gjermane dhe amerikane.

"Ndiq Paranë" : 4 Hapa për zhdukjen e ndikimit dhe pasojave të grabitjes së vendit nga Rama me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh.

Gepostet von Lulzim Basha am Montag, 22. Juli 2019

Por, në të vërtetë, ky plan tashmë është realizuar në Shqipëri me krijimin e strukturave si SPAK, Gjykata Speciale dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, struktura që në të vërtetë janë mbështetur nga SHBA dhe BE, ndërkohë që në Shqipëri është instaluar edhe zyra e EUROPOL, të gjitha të përmendura në planin e Bashës kur të jetë kryeministër, plan i quajtur “Ndiq Paranë”, një frazë e përmendur për herë të parë nga Henri E. Peterson në seancat e Komitetit Gjyqësor të Senatit të vitit 1974, kur Earl J. Silbert ishte emëruar Prokuror i SHBA dhe që më vonë mori përdorim të gjerë në gazetarinë investigative dhe në debatet politike.

Sipas verifikimeve të realsotry.al rezulton se sipas reformës në drejtësi, juridiksioni i SPAK-ut dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe në duart e prokurorëve të posaçëm do të dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar. Prokurorët e SPAK mund të hetojnë që nga Presidenti, Kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të Qeverisë ose jo. Po ashtu, ligji detyron çdo punonjës të policisë dhe të Drejtorisë Kundër Pastrimit të Parave që për çdo rast të dyshimtë të denoncojnë tek prokurorët e SPAK. Më pas, çështja është në dorë të kësaj prokurorie nëse ka vepër penale apo jo. Por, veç kësaj, ka raste kur prokurorët e SPAK mund t’u marrin dosjet hetimore prokurorëve të tjerë nëse vërejnë se dosja në fjalë është kompetencë e tyre. Gjithashtu, prokurorët e SPAK mund të hetojnë kolegët e tyre në rastet e parashikuara nga ligji, si dhe përfaqësojnë akuzën në proceset gjyqësore në gjykatat e posaçme deri në Gjykatën e Lartë, duke mënjanuar Prokurorin e Përgjithshëm. Çështjet që hetohen nga prokurorët e posaçëm gjykohen nga Gjykata e Posaçme. Këto gjykata kanë kompetencë që të gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Pra, një plan i tillë, që Basha e ka kur të bëhet kryeministër i vendit, tashmë po implementohet në Shqipëri, por ndoshta kjo është arsyeja që kreu i demokratëve nuk e ka përshëndetur 3-vjetorin e reformës në drejtësi, megjithëse i rëndësishëm mbetet fakti se PD thotë se ka plan çfarë të bëjë kur të vijë në qeveri, pavarësisht se është plan, tashmë i futur në rrugën e zbatimit. / Realstory.al



Skip to toolbar