Programin e rindërtimit të shtëpive, kryeministri Edi Rama e ka quajtur detyrimin kryesor të qeverisë. Ai tha se po punohet për një skemë financimi për banesat e dëmtuara e cila do të jetë një temë diskutimi edhe në Samitin e NATO-s.
“Familjeve në Thumanë duhet t’i rindërtojmë banesat, ato pallate që kishin, por që duhet të jenë shumë më të forta. Duhet të bazohemi tek buxheti i qeverisë, por nuk mjafton. Po punojmë për një skemë financimi që të na mundësojë një mbulim tërësor pa u mbuluar thjesht me anën tjetër. Me kolegët europianë unë kam folur. Po komunikoja me kryeministren e Danimarkës. Nëse Zoti nuk ka bërë ndonjë plan tjetër në Samitin e NATO për pak ditë do të bëjmë një adresim se si do trajtohet kjo plagë. Me presidentin e Turqisë kemi rënë dakord të organizojmë një tryezë me vendet e rajonit lindor. Të hënë që vjen vijmë me anti-KÇK por programi i rindërtimit është detyrimi ynë ndaj popullit shqiptar. Jam i bindur se duke punuar me të njëjtën frymë dhe me të njëjtin shpirt si 24 orët e para ne do t’i dalim të bëjmë një kapërcim historik në mënyrën e trajtimit të plagëve që ato të mos thahen nga dielli i harresës”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se bashkë me Ministrinë e Turizmit po punohet me marrëveshje me të gjitha kompanitë e hotelerive në Durrës, Kavajë dhe Vlorë për të strehuar të gjithë ata që kanë mbetur pa banesë. “Shpëtimi i jetëve mbetet prioritet i ditës së sotme. Më pas është akomodimi i atyre që janë pa çati. Mbrëmë i kemi sistemuar 1450 banorë në zonën e qytetit të Durrësit dhe 700 banorë në zonën e Thumanës pa llogaritur strukturat akomoduese në Tiranë. Nevoja e njerëzve për të mos qenë vetëm ka zbrazur një pjesë të madhe të këtyre tendave sepse janë hapur shumë dyer të afërmish, fqinjësh dhe të njohurish. Unë nuk ka ardhur nga krevati por nga ballkoni. Gatishmëria ka qenë shumë e madhe. Nuk mund të pranojnë që disa familje të kalojnë dimrin në tenda apo t’ia lëmë si barrë familjeve të tjerave. Nuk mund të kalojnë një kohë të gjatë me një barrë të tillë. Me ministrin e Turizmit po punojmë për një marrëveshje me kompanitë e hotelerive në Durrës, Kavajë dhe Vlorë për të akomoduar banorët pa shtëpi. Nuk do të toleroj asnjë banor që të qëndrojë në banesën e dëmtuar. Teoria që unë nuk lë shtëpinë nuk do të funksionojë. Të gjitha shtëpitë që kanë rezultuar të riparueshme, sot nuk janë më ashtu. Kemi filluar punën me ministren e infrastrukturës që të kemi një organizim të transportit për fëmijët që do shkojnë në shkollë dhe me ministren e Arsimit për të krijuar një asistencë për këta fëmijë”, tha Rama.