“Plotësohen” rrethet, KLP cakton drejtuesit e 4 prokurorive

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line. Mbledhja është zhvilluar në prani të 9 anëtarëve dhe në mungesë të Nurihan Seiti dhe Esmeralda Keshi si dhe të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Me propozim të anëtarëve Alfred Balla dhe Kostaq Beluri dhe me miratimin e të gjithë anëtareve, rendit të ditës janë shtuar edhe dy çështje për diskutim dhe miratim; miratimi i raporteve për analizimin e aftësisë profesionale të subjekteve të rivlerësimit Albert Kuliçi dhe Çlirim Sino.


Gjithashtu, Këshilli u njoh me propozimin e anëtarit Vatë Staka për të shtuar në rendin e ditës shpalljen e vakancave për prokuror në Prokurorinë e Posaçme sipas kërkesën drejtuar Këshillit nga drejtuesi i SPAK, Arben Kraja pas miratimin nga Kuvendi me datë 28.01.2021 të numrit të përgjithshëm të prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme i cili është 20 prokurorë. Propozimi është mbështetur me 4 (katër) vota pro (Gent Ibrahimi, Alfred Balla, Vatë Staka dhe Tartar Bazaj) dhe rrëzuar me 5 vota kundër.

Seanca plenare shqyrtoi çështjet si vijon: Këshilli miratoi unanimisht raportet për analizimin e aftësisë profesionale të subjekteve të rivlerësimit Flora Reka, Alfred Shehu, Binas Nina, Dritan Gina, Albert Kuliçi dhe Çlirim Sino. Një kopje të raporteve i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Me shumicë votash, Këshilli vendosi për caktimin e përkohshëm për një periudhë tre mujore në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër të Lazër Çardaku; për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë të Ollga Visi; për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec të Dorina Bejko; për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër të Julian Çafka.

Pasi u njoh me prezantimin e raportit vjetor të Komisioneve të Përhershme te Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi veprimtarinë gjatë vitit 2020, Këshilli i miratoi ato. Raportet do të publikohen në faqen zyrtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.




Skip to toolbar