Policia ka ndërmarrë një aksion të gjërë gjatë natës së të hënës në zonën e Gjirokastrës, e Tepelenës duke sekuestruar 150 kg kanabis dhe duke arrestuar 6 persona.
News 24 raporton se droga është kapur në fshatin Vasjar të Tepelenës, ndërsa personat e arrestuar janë edhe nga Vlora, Memaliaj, e Mallakastra.
Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga personat e dyshuar për lëndën narkotike të cilët janë: Ramiz Jahaj nga Vlora, Mikel Ziflaj nga Memaliaj, Leonidha Kociaj nga Mallakastra, Sefer Dukaj nga Vlora, Matjana Betaj nga Memaliaj si dhe Ervin Saka nga Vlora.
“Këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin në vendin e quajtur Mogila, në një banesë të pabanuar po përpunonin dhe paketonin 103 kg lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, me qëllim transportimin në drejtim të qytetit të Vlorës”, sqaron policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, një armë zjarri pistoletë TT, 3 automjete, 11 telefona celularë, një peshore mekanike, një sasi parash dhe numra të ndryshëm telefonash.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.