Pranga drejtorit të IMT Himarë, akuzohet për “shpërdorim detyre”

AKTUALITET


Aksioni i strukturave ligjzbatuese ndaj ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare po shtrihet më tej, duke goditur tashmë edhe nivelet drejtuese të institucioneve vendore të inspektimit të territorit.

Pas rasteve në Sarandë, një tjetër zyrtar i lartë në Himarë është vënë në pranga nën dyshimet për shpërdorim detyre.

Në orët e para të mëngjesit, në zonën e Palasës, forcat e policisë kanë arrestuar kryeinspektorin e IMT-së së Himarës, Dorian Hoxha.

Sipas burimeve hetimore, zyrtari dyshohet se ka lejuar ose nuk ka ndërhyrë për të parandaluar ndërtime në kundërshtim me ligjin në territorin e bashkisë Himarë, veçanërisht në zonën bregdetare.

Fillimisht, ai është shoqëruar në Komisariatin e Himarës dhe më pas është transferuar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Vlorës, ndërsa grupi hetimor po vijon verifikimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për raste të përsëritura të shkeljeve apo mosveprimeve në detyrë.

Arrestimi i Hoxhës vjen vetëm pak ditë pas masave të marra ndaj drejtuesve dhe efektivëve të policisë në Sarandë, të dyshuar për mosveprim ndaj ndërtimeve pa leje në territor.

Në këtë kontekst, kryepolici Skender Hita ka zhvilluar takime në jug të vendit, ku është kërkuar rritja e kontrolleve dhe forcimi i masave ndaj çdo forme paligjshmërie, me fokus të veçantë mbrojtjen e territorit dhe garantimin e rendit publik në prag të sezonit turistik.



Skip to toolbar